Dëshmitë e të arrestuarve pas rrëmbimit, Gjeçi u lirua dy herë nga gjykata

 

Mbrëmjen e djeshme lajmi se një person është  marrë peng dhe u dhunua për disa orë, ka alarmuar policinë që u vu në lëvizje,  pas njoftimit. Klajdi Gjeçi, personazh i njohur për policinë e Tiranës,   ishte marrë peng në Rrugën e Dibrës në kryeqytet dhe pak momente më pas,  blutë arrestuan si autorë të dyshuar të ngjarjes, Klejdi Yzeiraj, 27 – vjeç dhe Martin Seferi, 31- vjeç, si dhe shpallën në kërkim, Erald Yzeiraj, 31 -vjeç.

Policia ndaloi brenda në makinë personat në fjalë dhe më pas liroi pengun Klodjan Gjeci, pas dëshmisë së tij. Sipas Policisë në afërsi te Farmacia nr.10, dy automjete kanë ndaluar dhe shtetasit që gjendeshin në to janë konfliktuar me njeri-tjetrin. Nga njeri automjet dyshohet të kenë zbritur 3 persona, ndërsa në automjetin me targa AA 588FP dyshohet se udhëtonte shtetasi Klajdi Gjeçi, i cili nga ana  e policisë u raportua se e morën peng tre personat, dy prej të cilëve tashmë janë arrestuar. Por një ditë më pas dëshmitë se nga personi që pretendohet se është marrë peng, ashtu edhe nga dy pengmarrësit, tregojnë të kundërtën:  

Dëshmia e Klajdi Gjeçit

Pas lirimit të tij, para oficerëve të Policisë Gjyqësore, Klajdi Gjeçi ka mbrojtur versionin se autorët kishin ngatërruar objektiv dhe se ai nuk kishte njohje me ta. “Isha me dy shokë dhe po hanim ëmbëlsira pranë Medresesë, tek Rruga e Dibrës, kur na vjen një makinë BMË, dalin tre persona dhe vijnë direkt tek unë. Më godasin me grushte e shkelma dhe më marrin me forcë në mjetin e tyre. Më çojnë në drejtim të zonës së Freskut ku më gjuajnë sërish,” ka thënë në dëshminë e tij Gjeçi.

“Në një moment unë pata mundësinë t’iu them se jam Klajdi Gjeçi dhe ata menjëherë ndaluan, duke më kërkuar ndjesë se kishin ngatërruar objektiv. Më hipën në një taksi dhe po më çonin për në shtëpi, në momentin kur na doli policia para. Këta persona nuk i njihja më parë”.

Dëshmia e dy të arrestuarve

Nga ana tjetër, dy të arrestuarit, Klejdi Yzeiraj dhe Martin Seferi, kanë pohuar se një person me karakteristika të ngjashme me Gjeçin, kishte dhunuar kamarierin e lokalit të tyre  pranë Freskut. Sipas dy të arrestuarve, Gjeçin e morën për ta ballafaquar me kamarierin dhe për të sqaruar konfliktin. Megjithatë, pavarësisht se palët në dëshmitë e tyre mohojnë të ketë pasur pengmarrje, Policia nuk është e bindur rreth versionit të mbrojtur nga ana e tyre, ndaj edhe për këtë arsye po kryen veprime të tjera hetimore lidhur me ngjarjen.

Klajdi Gjeçit, dy herë i shpëtoi drejtësisë

Klajdi Gjeçi nga ana e tij, nuk është një emër i panjohur për drejtësinë, pasi ka qenë i proceduar penalisht për dy vepra penale më herët, “armëmbajtje pa leje” në vitin 2012 dhe “plagosje e rëndë” në vitin 2015, mirëpo në të dyja këto raste Gjeçi është lënë i lirë nga gjykata.

Në dhjetor të vitit vitin 2012, Gjeçi u arrestua pasi gjatë një kontrolli në banesën e tij iu gjet dhe iu bllokua një armë zjarri pa leje pistoletë. Kontrolli u krye në bazë të dyshimeve të policisë, pasi Gjeçi hetohej se kishte gisht në vendosjen e eksplozivit në banesën e zv/drejtorit të policisë së Tiranës, më 8 dhjetor 2011. Ai dyshohej si pjesë e grupit të Shullazit. Kjo pasi Shullazi ishte ndaluar dhe proceduar disa herë nga policia gjatë asaj periudhe. Pavarësisht se në banesën e Gjeçit, policia gjeti një armë zjarri pistoletë, gjyqtari e liroi Gjeçin dhe arsyetoi se edhe pse policia i kishte gjetur dhe bllokuar një armë zjarri në banesë Gjeçit, kontrolli nuk ishte kryer në kushtet e flagrancës.  

Më 15 maj 2015 Gjeçi u akuzua për plagosje të rëndë të Enton Nushajt, por u la i lirë, pasi 4 muaj më vonë i dëmtuari tërhoqi padinë ndaj tij, duke deklaruar se mosmarrëveshjet mes tyre ishin sheshuar. Edhe në këtë rast vendimi lë pikëpyetje për drejtësinë,  pasi për rastet e plagosjes apo krimet ndaj jetës nuk mund të merren parasysh kompromiset mes dy palëve.

Duket se nisur nga këtë dy raste, edhe mbi deklaratat e fundit të pengmarrjes së Gjeçit, policia dyshon se palët duan të sheshojnë mosmarrëveshjet e tyre për t’i shpëtuar drejtësisë. Grupi hetimor po ndjek të shkuarën e secilit prej tyre po merr dëshmi të tjera për të zbardhur ngjarjen e një dite më parë.

SHKARKO APP