Dështimi i një reforme, Çuçi: Harta administrative mund të rishikohet
Janë rritur në mënyrë drastike shpenzimet dhe po aq shumë janë ulur shërbimet. Ky është bilanci i reformës administrative pesë vite pas miratimit të saj. Para se të miratohej reforma administrative, në pushtetin lokal ishin punësuar 19625 persona në të gjithë vendin.
Tre vite më pas në vitin 2018 numri i tyre kap shifrën e 33500 personave të punësuar në administratën lokale. Në shumë njësi administrative mungojnë shërbimet bazë: uji, dritat, rrugët, pastrimi i plehrave. Ka fshatra ku janë hequr edhe shkollat. Ndërkohë ministri që drejtoi hartimin e reformës mendon sot se reforma administrative ka nevojë për ndryshime.
“Ishin tre variante për ndarjen territoriale nga pesë që kishim në fillim. Për shkaqe edhe politike zgjodhëm variantin me më shumë bashki, si ai që kemi sot me 61, ndërkohë që po të ishim në variantin më konservator do të ishim me 31 bashki sot dhe nuk do ta kishim këtë problem. Një moment i dytë që mund të rishikohet harta administrative pikërisht që edhe këto fenomene, të bëhen bashkitë më të mëdha” tha Bledi Çuçi. /Abc News