Detaje nga vrasja në Laç, ish-polici u qëllua nga vrasës me pagesë
Ish-polici Xhelal Reçi mund të jetë qëlluar nga vrasës me pagesë. Këto janë dyshimet e policisë ndërkohë që pista kryesore e hetimit është veprimtaria e të birit, Besnikut.
Policia po krijon lidhjet me atentatin e dështuar për eleminimin fizik të Besnik Reçit një viti më parë. Besniku njihej si një person tejet problematik. Ai kishte krijuar konflikte me shumë persona në Laç e më gjerë, ndërsa i ati, Xhalali, njihej si njeri i urtë dhe i qetë.
Ai që prej kohës që i është bërë atentati, ka qëndruar pothuajse i fshehur dhe nuk ka lëvizur në ambiente të hapura, për shkak të frikës se mund ta vrisnin. I ati, me eksperiencën e ish-policit është munduar disa herë për të shuar problemet e të birit, ka ndërhyrë tek personat me të cilët ka pasur probleme por mesa duket nuk ia ka dalë, pasi mbeti i vrarë mëngjesin e sotëm në afërsi të bizneseve të tij.
Ndërkohë mësohet se kanë qenë persona nga qyteti i Fierit të cilët janë paguar dhe kanë udhëtuar drejt Laçit dhe ekzekutuan 60-vjeçarin.
2 ditë pas ngjarjes policia nuk ka rënë ende në gjurmët e autorëve.
Reçi u qëllua me armë zjarri nga një makinë në lëvizje pranë një banke të nivelit të dytë në qytetin e Laçit.
Vetëm pak kohë pas vrasjes një makinë e djegur u gjet disa kilometra larg vendit të ngjarjes që dyshohet se u përket autorëve. Në këtë makinë rezultuan targa greke të mbivendosura, ndërsa vetë makina ishte e vjedhur para një muaj në Mbrostar të Fierit.