Detaje nga vr*sja, djali sekser i anëtares së KLP u konfliktua me viktimën. 55-vjeçari nuk i dha apartamentin shpërblim

Detaje të reja kanë dalë në dritë për ngjarjen e rëndë të ndodhur rreth orës 11:45 të mesditës në ambientet e një kancelarie në Vlorë, ku humbi jetën 55-vjeçari Armando Meshau. Viktima ndodhej në kancelarinë nga ku u nxor i pajetë për të printuar disa dokumente, por është konfliktuar me autorin 33-vjeçar, të identifikuar si shtetasi Rei Meta.

Mësohet se autori dhe viktima kanë pasur një konflikt të pazgjidhur, që ka qenë i mbartur prej mëse 8 muajsh. Nga hetimet zbulohet se 33-vjeçari kishte ndërhyrë si sekser për një prej pronave që biznesmeni i ndjerë i ndërtimit kishte interes, duke i premtuar garanci se do t’i zgjidhte punë. Rei Meta kishte premtuar zgjidhje për pronën e Armando Meshaut, duke përdorur emrin e të ëmës, që është anëtarja e KLP-së Nurihan Seiti Meta.

Në këmbim i riu do të përfitonte një apartament që do t’i falej nga ndërtuesi i njohur në qytetin bregdetar. Por, Meta kishte dështuar në rolin e tij si sekser dhe 55-vjeçari kishte zgjidhur çështjen që e shqetësonte duke shfrytëzuar lidhjet me palë të treta. Pavarësisht kësaj, 33-vjeçari pretendonte se për “punën” që kishte marrë përsipër, ndërtuesi duhet t’i falte apartamentin dhe kjo ka nxitur konfliktin mes tyre, i cili u mbyll tragjikisht këtë të hënë.

I ndjeri kishte refuzuar t’ia kalonte në pronësi apartamentin Metës dhe kur janë përballur në dyert e kancelarisë debati mes tyre ka degjeneruar në fyerje dhe përdorimin e grushteve. Meshau ka ofenduar 33-vjeçarin duke i thënë se nuk ka për ta marrë apartamentin, ndërsa ky i fundit i është përgjigjur me dhunë fizike, duke e qëlluar dy herë me grusht në fytyrë 55-vjeçarin, i cili ra pa ndjenja në tokë, duke humbur jetën në vend. Autori Rei Meta u arrestua nga policia e Vlorës pak pasi ndodhi ngjarja. /A2cnn/

SHKARKO APP