Detaje si nisi sherri në shkollë që i mori jetën 14-vjeçarit
14-vjeçari u qëllua me thikë në zemër nga një bashkëmoshatar. Ai ndërroi jetë në spital një orë pas ngjarjes. Ngjarja ndodhi rreth orës 13:10 të së hënës, menjëherë në përfundim të orarit mësimor. Fillimisht, në sherr u përfshinë një grup adoleshentësh të moshës 14 dhe 15 vjeç. Ata ishin nxënës në shkollën Fan Noli, 200 metra larg vendit ku ndodhi dhe ngjarja, dhe disa të tjerë, nxënës në një shkollë në Sauk.
Pas debateve me fjalët banale, sherri vijoi mes tre adoleshentëve, të cilët morën dhe lëndime me thikë. Një orë pasi mbërriti në spitalin e Traumës, një 14-vjeçar ndërroi jetë pas goditjes që kishte marrë në zemër.
Dy bashkëmoshatarët e tij vijojnë të jenë në spital për të marrë ndihmën mjekësore. Mësohet se njëri prej tyre ka marrë 6 goditje thike në trup, e ndërsa tjetri një goditje të lehtë në krah. Pikërisht ky i fundit dyshohet nga policia të jetë edhe personi që ka goditur me thikë. Ndërsa mbetet e paqartë se si është plagosur edhe ai vetë.
Policia nuk ka ende të qartë motivet e krimit. Ka dyshime që adoleshentët të jenë konfliktuar disa ditë më parë që në rrjetet sociale. Në polici janë shoqëruar disa nxënës që ishin dëshmitarë të këtij konflikti që përfundoi tragjikisht me një vrarë e dy të plagosur. Ata janë marrë në pyetje në prani të psikologut.