Detaje të reja nga atentati në Peqin. Autorët, pjesë e grupit të strukturuar kriminal, ku po heton policia
Dalin të tjera detaje nga atentati i mbrëmjes së djeshme në Peqin, ku mbeti i vrarë A. Z.. Krimet e Rënda kanë nisur tashmë një hetim për ngjarjen e rëndë, ku po hetojnë për lidhje të viktimës, apo edhe të A. U., i cili mbeti i plagosur në atentatin e mbrëmshëm. A. Z. kishte vetëm një ditë që ishte kthyer në Shqipëri.
Ai u ekzekutua me breshëri kallashnikovi, ndërsa shoku i tij mbeti i plagosur. Mësohet se policia ka identifikuar llojin e automjetit të përdorur nga autorët e vrasjes pas sekuestrimit të pamjeve filmike të kamerave të bizneseve të zonës ku u krye atentati. Viktimës Zylyfi rreth një vit më parë iu ekzekutua në të njëjtat rrethana djali i hallës dhe dy miqtë e tij pothuajse në të njëjtën orë po me kallashnikov. Mënyra e organizimit dhe e ekzekutimit të 23-vjeçarit Zylyfi shumë e ngjashme me ngjarjen e fundvitit të kaluar te Rrethrrotullimi i Bradasheshit ku u ekzekutuan tre persona.
Atentatorët dyshohet se janë pjesë e një grupi mjaft të strukturuar kriminal me aktivitet tē fuqishëm të paligjshëm kryesisht në trafikun ndërkombëtar të drogës. Ekzekutimet e viteve të fundit të kryera në Elbasan lidhen me larjen e hesapeve mes grupeve kriminale.