Detaje të reja nga hetimet për vrasjen e Klodian Rashës
Detaje të reja dalin nga dosja hetimore për vrasjen e Klodian Rashës. Në dosje bëhet e ditur se ka rezultuar se në duart e Klodian Rashës nuk ka mbetje të gjurmëve të qitjes, pra nuk ka përdorur armë dhe as substanca narkotike në gjakun e tij.
“Nga materiali hetimor ka rezultuar se është administruar akti i ekspertimit kimit të mostrave të marra nga duart e kufomës Klodian Rasha për faktorët plotësues. Nga akti i ekspertimit kimik ka rezultuar se në mostrat e marra nga duart e kufomës nuk janë evidentuar prania e nitriteve dhe nitrateve të cilat ndodhen edhe në mbetjet nga qitjet me armë zjarri”.
25-vjeçari Klodian Rasha u vra më 8 dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa i pandehur për këtë ngjarje është efektivi i policisë Nevaldo Hajdaraj, i cili do të përballet në gjykatë me akuzën e vrasjes me dashje.