Detaje të reja nga skema e mashtrimit me TVSH, u përfshinë 50 kompani
Prokuroria e Tiranës ka bërë publike detaje të skemës së mashtrimit me TVSH-në për të cilën u arrestuan 15 biznesmenë.
Sipas hetuesve 50 kompani të ndryshme janë përfshirë në këtë skemë ndërsa nga 35 urdhra arresti të lëshuara nga prokuroria janë ekzekutuar nga policia vetëm 15.
Mësohet se hetimet janë ende në vazhdim ndërsa do të kërkohet masa e arrestit edhe për 35 persona të tjerë.
Për të përfituar TVSH-në janë përdorur kontrata fiktive me kompani të cilat pas një periudhe të caktuar ose kanë kaluar në aktivitet pasiv ose kanë deklaruar zero xhiro vjetore.
Të paktën në dy vitet e fundit pesë kompani kanë deklaruar se nuk kanë pasur asnjë aktivitet. Në këtë mënyrë shmangej kontrolli i tatimore për rastet kur kërkohet këqyrja e mbylljes së aktivitetit.
Madje bëhet e ditur se për të krijuar kompanitë fantazëm janë përdorur individë që nuk kanë të ardhura apo që banojnë në zona të largëta. Pasi identifikoheshin, organizatorët e skemës u merrnin kartat e identitetit, dhe me to krijonin kompanitë që përdoreshin më pas të për përfituar nga vlera e TVSH-së.
Mes 15 biznesmenëve të arrestuar si pjesë e skemës së dyshuar mashtrimi me TVSH-në është edhe administratori Paqsor Buzi i G.P.G Company, fituesja më e madhe e projekteve të “Rilindjes Urbane” të qeverisë me vlerë mbi 28 milionë euro.
Sipas njoftimit të Policisë së Tiranës, vlera e faturave fiktive është 182.6 milionë lekë me një dëm prej 25.7 milionësh si rimbursim TVSH-je për buxhetin e shtetit. /Ora News

KOHA JONË SONDAZH

