Detajet e reja: Masakra e Mamurrasit si tek “Kumbari”

Pas masakrës në Mamurras, Spitali i Traumës në Tiranë dje është rrethuar nga policia dhe secilit prej të plagosurve iu vunë në derën e dhomës, dy efektivë policie, që i ruanin.

Grupet e familjarëve, të veçuar dhe larg njëri-tjetrit diskutonin jo vetëm për gjendjen shëndetësore të të afërmëve, por edhe “borxhin e mallkuar”.

Ajo që binte në sy më tepër ishin makinat. Marka si “Benz” apo “BMW”, prodhime të viteve të fundit, parkoheshin përballë hyrjes së urgjencës së Spitalit të Traumës dhe prej tyre zbrisnin burra me varëse floriri. Zilja më e spikatur që tringëllonte në telefonat e tyre celularë ishte një larmi melodish të Ennio Morikones.

Melodi nga filmat “Na ishte njëherë Amerika” apo “Godfather” dëgjoheshin nga celularët e laçianëve. Asnjë nga familjarët nuk pranoi të fliste për mediat ndërsa një gjendje tensioni mbizotëronte mes tyre.

Ndërkohë tre nga të plagosurit e përplasjes me armë të ndodhur mesditën e 23 shtatorit në hyrje të qytetit të Mamurrasit ishin kalimtarë të rastit.

Policia e Lezhës zbardhi sot detaje të reja të ngjarjes ku mbeti i vdekur Naim Tafa, i liruar vetëm 15 ditë nga burgu në Itali pasi kishte përfunduar dënimin.

Ndërkohë dy persona të tjerë janë arrestuar përveç Enrik Mamlit, ndërsa 3 janë shpallur në kërkim.

Të arrestuar së bashku me Enrik (Elton) Dodë Mamli, 28 vjeç, banues në Zhejë, Kurbin janë dhe Taulant Sami Bebri (Arjan Sami Tafa), 26 vjeç, banues në Mamurras, Kurbin dhe Dorjan Ndue Mamli, 31 vjeç, banues në Zhejë, Kurbin.

Në kërkim janë:

1.Tom Dodë Mamli, 33 vjeç, banues në Mamurras, Kurbin.
2.Paulin (Roland) Dodë Mamli, 29 vjeç, banues në Mamurras, Kurbin.
3.Gentjan Murat Elez i(Tafa), 30 vjeç, banues në Mamurras, Kurbin.

Negociatat për të sheshuar një konflikt, rrihet Dorian Mamli

Sipas policisë, dje (23.09.2015), rreth orës 11.30, shtetasit Tom Mamli, Paulin Mamli, Enrik (Elton) Mamli kanë rrahur dhe goditur me sende të forta shtetasin Dorian Mamli, pasi ky kishte ndërhyrë për te negociuar konfliktin që kishte shtetasi Enrik Mamli me shtetasin Edmond Hasan Tafa, djalin e xhaxhait të Naim Tafës.

Makina e vëllezërve Mamli përplaset me makinën ku udhëtonte Naimi

Në momentin që vëllezërit Mamli po largoheshin me mjetin Range Rover me targa AA 481 JT, janë goditur duke u përplasur nga mjeti Benz me targa AA 077 CN, në të cilin lëviznin shtetasit Gentian Elezi, Taulant Bebri (Arjan Tafa) dhe Naim Tafa.

Përplasja me armë, viktima dhe të plagosurit

Pas përplasjes së automjeteve, personat që ndodheshin në të dy automjetet kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të njëri-tjetrit, ku si pasojë ka mbetur i vdekur shtetasi Naim Idriz Tafa, 35 vjeç, banues në Mamurras, Kurbin, dhe janë plagosur shtetasit:

1.Altin Llesh Çoku, 30 vjeç, banues në Kurbin.
2.Idriz Elez Tafa, 59 vjeç, banues në Mamurras.
3.Taulant Sami Bebri (Arjan Tafa), 26 vjeç, banues në Mamurras, Kurbin.
4.Besim Sali Xhetani, 68 vjeç, banues në Mamurras, të cilët ndodhen në Spitalin e Traumës Tiranë jashtë rrezikut për jetën.

Shtetasit Idriz Elez Tafa, Besim Sali Xhetani dhe Altin Llesh Çoku kanë që kalimtarë të rastësishëm dhe nuk kanë lidhje me ngjarje.

I dëmtuar fizikisht ka mbetur edhe Dorian Ndue Mamli, 31 vjeç, banues në Zhejë, Kurbin, por jo me armë zjarri, por si shkak i konfliktit me kushërinjte e tij.

Në vendngjarje janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 12 gëzhoja armësh zjarri mod.56 kalibër 7.62 mm, 4 predha armësh zjarri, telefona celularë, dy automjetet dhe një armë zjarri automatik mod.56 pa numër (fshirë) me dy karikatorë me nga 30 fishekë mod.56, armë e cila iu kap shtetasit Enrik Mamli.

SHKARKO APP