Detajet e vrasjes, Saimir Beqiri ndiqej prej ditësh nga dy persona me paruke

Kanë qenë 2 persona ende të paidentifikuar ata që ekzekutuan me armë 51 – vjeçarin Saimir Beqiri në orët e para të mëngjesit të së hënës në Elbasan.

Viktima, baba i tre fëmijëve, u gjet i pajetë në oborrin e një lokali në dalje të qytetit.

Sipas dëshmitarëve, ai u ndoq nga 2 autorët e maskuar me paruke të cilët e qëlluan nga një distancë e afërt, raporton Klan.

Beqiri ka parë një makinë tip që e ndiqte dhe për këtë ka ndaluar për t’u larguar me vrap, por nuk ka mundur të shpëtojë.

Raportohet se vrasësit që e ndiqnin lëviznin me një automjet tip Benz dhe mbanin paruke.

Viktima është vëllai i Gentian Beqirit, 41 – vjeçari që u vra në vitin 2012 brenda në banesën e tij, teksa ruhej nga policia në arrest shtëpie.

Ky i fundit ishte i dënuar si i implikuar në vrasjen e biznesmenit Sokol Çapja, në vitin 2005. Për vrasjen e Gentian Beqirit u ndalua Florenc Çapja.

Por ai u lirua pasi paraqiti prova që kishte qenë në Maqedoni në momentin e vrasjes.

Ndaj familjes Çapja, me datën 3 Shkurt të këtij viti u krye një atentat me armë zjarri ku mbetën të vrarë 3 persona dhe të plagosur 9 të tjerë, mes të cilëve edhe Florenc Çapja. Pista kryesore e hetimit për vrasjen e Saimir Beqirit, është ajo e hakmarrjes për shkak të konfliktit mbi 11 – vjeçar me familjen Çapja.

Gjithsesi, nuk janë lënë jashtë vëmendjes dhe pista e larjes së hesapeve për trafik droge, nisur dhe nga aktiviteti i mëparshëm i viktimës. Deri tani, policia ka shoqëruar 15 persona, por nuk ka ende asnjë të ndaluar.

SHKARKO APP