“Deti”, Panariti: Pala tjetër më e favorizuar. S’janë thjesht vija gjeometrike, bëhet fjalë për shfrytëzim nafte dhe gazi
Pas raportimit të ministrit Ditmir Bushati në Komisionin e Jashtëm, deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim Edmond Panariti u shpreh se marrëveshja e detit me Greqinë është vendosur nga qeveria shqiptare në kushtet e mungesës së transparencës dhe faktit të kryer.
Nisur nga kjo situatë, Panariti shprehu shqetësimin e tij se çështjet për të cilat po negociohet me palën greke nuk janë thjeshtë vija gjeometrike të sipërfaqeve ujore, por tha ai, negociim dhe autorizim për shfrytëzim të burimeve të naftës dhe gazit, për të cilat, tha Panariti, pala tjetër është e favorizuar në shumë plane.
“Marrëveshja për detin e vendosur në kushtet e jo transparencës, faktit të kryer dhe nën presion kohe do të jetë e dizfavorshme dhe e kontenstueshme për Shqipërinë . Çështjet nuk janë thjesht vija gjeometrike sipërfaqesh ujore, por negocim dhe autorizim shfrytëzimit burimesh nafte dhe gazi, për të cilat pala tjetër është e favorizuar në shumë plane. Duhet të kemi kurajo për të kundërshtuar mohimin e çështjes çame nga autoritetet e larta helene. Nuk mund të akuzohen për bashkëpunim me nazistët, fëmijë, gratë shtatzëna, pleqtë dhe plakat çame të deportuar forcërisht nga trojet e tyre. Bashkëpunëtorë me nazistët ka pasur edhe nga pala tjetër, por ata nuk janë deportuar. Politika e jashtme udhëhiqet nga interesat kombëtare të cilat kanë të bëjnë me sovranitetin, pastaj nga interesat europiane dhe ato të fqinjesisë”- u shpreh deputeti i LSI-së, Edmond Panariti.
KOHA JONË SONDAZH

