“Detyrim paraqitje” për Marsida Qatjan, në banesën e saj u vra një person, u plagos edhe polici
Gjykata ka vendosur masën detyrim paraqitje për Marsida Qatjan, në banesën e së cilës u vra Dritan Haxholli dhe u plagos efektivi i policisë së burgut Bledar Toçi.
Qatja do të hetohet për përshtatjen e ambienteve për konsumim droge.
Pas ngjarjes, Qatja tha për gazetarët se nuk ka lidhje me drogën dhe se në shtëpinë e saj nuk ka pasur kokainë, edhe pse nga provat e mbledhura nga policia rezultoi krejt e kundërta.
Ndërkohë në dëshminë e saj për hetuesit, ajo është shprehur se është përdoruese e kokainës.
Vrasja në Kavajë shënua pak pas mesnatës së të mërkurës në lagjen nr 2 të qytetit në banesën e Marsida Qatjas.
Viktimë e krimit mbeti shtetasi Dritan Haxholli, 41 vjeç, i divorcuar shkoi në banesën e të resë me të cilën kishte pasur një lidhje intime.
Pasi ka mësuar se Qatja ishte në shtëpi me tre persona, ai ka marrë me vete një kallashnikov. Menjëherë sapo ka hyrë brenda Dritan Haxholli ka qëlluar me breshëri duke lënë të plagosur Bledar Toçin, shef i sigurisë në burgun e Durrësit.
Më pas 41-vjeçari ka tentuar të largohet por është qëlluar nga polici i burgjeve me pistoletën e shërbimit duke e lënë të vdekur në vend.
Marsida Qatja është nënë e 3 fëmijëve, dy prej të cilëve jetonin me burrin e parë dhe një vajzë 2 vjeçare e mbante në banesë pasi e kishte lindur me burrin e dytë. Gjyshi i saj tha se mbesa nuk i kishte shprehur ndonjë shqetësim apo t’i kishte kërkuar ndihmë.