Detyrimet e prapambetura të vendorëve – Bashkitë, rreth 69 milionë dollarë borxhe në vitin 2020
Megjithëse ka shënuar trajektore ulëse nga viti 2015, mbetet në nivele të larta borxhi i qeverisjes vendore. Një analizë e Co-PLAN, Institutit për Zhvillimin e Habitat, zbardh se bashkitë në vend mbartin ndër vite stokun e detyrimeve të prapambetura të cilat në fund të vitit 2020 u vlerësuan në rreth 6.9 miliardë lekë, afërisht 69 milionë dollarë, 16 herë më i lartë se stoku i borxhit të qeverisjes vendore.
Në raport ndaj PBB-së, detyrimet e prapambetura në fund të vitit 2020 përfaqësuan rreth 0.42% nga një nivel prej rreth 0.5% një vit më pare.
Që prej vitit 2015, stoku i detyrimeve të prapambetura ka ndjekur prirje rënëse dhe në vitin 2020 shënoi një nivel prej rreth 6.9 miliardë lekë, në rënie vjetore me rreth 15.2% apo rreth 1.2 miliardë lekë më i ulët se niveli i shënuar në fund të vitit 2019.
Në nivel bashkie, rreth 53% e stokut të detyrimeve të prapambetura në fund të vitit 2020 mbartet nga 8 bashki.
Në stokun e detyrimeve të prapambetura, peshën më të madhe e mbajnë detyrimet për investime (të cilat përfaqësuan rreth 54.4% të detyrimeve totale) dhe vendimet gjyqësore (10%) ndjekur nga detyrimet për shërbime (10.3%) dhe të tjera. / SCAN