“DH Albania” mbyllet me vendim qesharak, reagon ashpër deputeti që denoncoi skandalin: Edhe në vendet afrikane, Gjiknuri dhe Qendro do të ishin sot në burg
Hetimet e Prokurorisë së Tiranës për aferën e dyshuar korruptive në tenderin e Unazës së Re, të fituar nga kompania DH Albania, dega në Shqipëri e Dunwell Haberman me vlerë më shumë se 2.2 miliardë lekë, përfunduan vetëm me dënimin me 6 muaj burgim për “falsifikim të dokumenteve” të 28 vjeçarit Avdjol Dobi, i cili rezulton si administrator i kompanisë.
Kaq ka mjaftuar që ish-deputeti i Partisë Demokratike Agron Shehaj që denoncoi skandalin me projektin e ndërtimit të Unazës së Re të Tiranës të shpërthejë në akuza të forta ndaj “drejtësisë së re”, teksa shprehet se edhe në vendet më të korruptuara afrikane, Gjiknuri dhe Qendro do të ishin sot në burg për shumë vite.
Reagimi i Agron Shehajt
Kur denoncova i pari aferën e korrupsionit dhe pastrimit të parave DH Albania ( nëpërmjet publikimit të dokumentit zyrtar) nuk mund ta imagjinoja kurrë se nga kjo histori kriminale do dilnin të gjithë pa lagur.
Dy vjet më pas, Damian Gjiknuri është “udhëheqës reformator” që drejton Shqipërinë drejt të ardhmes. Drejtori i Rrugëve, Qendro sapo u bë nënkryetar i Bashkisë Vlorë. Drejtësia e korruptuar e dalë nga reforma në drejtësi dënoi vetëm kamarierin 23 vjeçar i cili ishte përdorur nga politikanët e korruptuar për grabitjen. Nuk dënuan askënd tjetër.
Edhe në vendet më të korruptuara afrikane, Gjiknuri dhe Qendro do të ishin sot në burg për shumë vite. Por në Shqipëri pushtetin e ka krimi, drejtësinë e ka paraja.
Një vend që shpërblen krimin nuk ka të ardhme. Një popull që mban mbi krye hajdutët dhe kriminelët do të jetë gjithmonë i varfër. Në një vend ku politika nuk ndëshkohet, njerëzit do të jenë skllevër të politikanëve të korruptuar. Fatkeqësisht, ky është fati ynë sot. Por nuk duhet të jetë fati ynë nesër. Ndaj duhet të ngrihemi kundër politikanëve të korruptuar dhe drejtësisë së krimit.