Dhjetëra të lënduar pas përplasjes së një kamioni në një stacion autobusi në Tel Aviv

Policia dhe ekipet e shpëtimit duke nxjerr trupin e shoferit të kamionit që u përplas në Tel Aviv më 27 tetor 2024.

Një kamion është përplasur në një stacion autobusi në qytetin izraelit të Tel Avivit, duke lënduar 35 persona, thanë zyrtarët.

Policia izraelite e përshkroi këtë ngjarje si sulm dhe tha se sulmuesi ishte një shtetas arab i Izraelit.

Ngjarja ndodhi në qytetin Ramat Hasharon, në verilindje të Tel Avivit, afër selisë së agjencisë izraelite të spiunazhit, Mossad. Përveç se gjendet afër selisë së Mossadit, ky stacion gjendet edhe pranë një baze ushtarake.

Shërbimi për shpëtim i Izraelit, Magen David Adom, tha se gjashtë persona kanë pësuar lëndime serioze.

Zëdhënësi i policisë izraelite, Asi Aharoni, u tha gazetarëve se sulmuesi është “neutralizuar”, pa specifikuar nëse sulmuesi i dyshuar është vrarë.

Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – dhe grupi tjetër më i vogël militant, Xhihadi Islamik, mirëpritën këtë sulm të dyshuar, por nuk e morën përgjegjësinë për të.

Palestinezët kanë kryer një sërë sulmesh me thikë, me armë zjarri dhe me makina në vitet e fundit.

Tensionet janë rritur edhe më shumë që nga shpërthimi i luftës në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit dhe Izraeli kryen vazhdimisht operacione ushtarake edhe në Bregun e pushtuar Perëndimor, operacione që kanë lënë të vrarë qindra persona.

REL

SHKARKO APP