Dhjetëra vullnetarë të huaj mbërrijnë për Maratonën e Tiranës, Veliaj: Do i dhurojmë kryeqytetit kartolinën më të bukur të vitit
Të dielën do të mbahet Maratona e Tiranës, ku do i bashkohen vullnetarë vendas por edhe të huaj, të cilët i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes për të qenë të pranishëm në eventin më të rëndësishëm sportiv të vitit në Shqipëri. Një pjesë e vullnetarëve të mbërritur kryesisht nga vende të rajonit tonë janë pritur nga kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, i cili u shprehu mirënjohjen për kontributin e tyre, ku tha se kjo ditë do të shërbejë edhe si një kartolinë e bukur për kryeqytetin shqiptar.
“Jam shumë entuziast sot, që një grup fantastik djemsh e vajzash nga gjithë Ballkani na janë bashkuar si vullnetarë për të na dhënë edhe një dorë me maratonën krahas vullnetarëve tanë. Do jetë një ditë fantastike, një kartolinë për Tiranën gjithë organizimi i Maratonës dhe unë ju jam shumë mirënjohës,” u shpreh ai.
Siç njofton zyra e shtypit, të dielën do të zhvillohen 7 koncerte, duke e kthyer edhe në një ditë feste për qytetarët.
“Mezi pres që ditën e dielë ta kthejmë në një festë të Tiranës. Do jetë një ditë pa makina. Do kemi edhe 7 koncerte të ndryshme. Do ketë një mobilizim të jashtëzakonshëm të Policisë Bashkiake, Policisë së Shtetit, zjarrfikëseve, ambulancave, kështu që dua që të gjithë qytetarët si ata që do vrapojnë por edhe ata që do festojnë të na ndihmojnë që të shkojë shumë mirë,” tha Veliaj.