Dhuna e policisë mbi banorët e Bregut të Lumit, Avokati i Popullit nis hetimin
Avokati i Popullit ka nisur sot hetim administrativ pas konfrontimeve në zonën e bregut të lumit në tiranë
“Një grup ekspertësh të Avokatit të Popullit janë angazhuar ditën e sotme në ndjekjen e zhvillimeve të konfrontimeve të banorëve të Bregut të Lumit dhe forcave të policisë. Janë kryer verifikime dhe mbledhur informacione pranë Komisariatit nr.4 për personat e shoqëruar si dhe Spitalit të Traumës për banorët e lënduar. Në Komisariatin e Policisë nr.4 ishin shoqëruar 12 persona nga të cilët 9 femra (nga të cilat 6 janë liruar më pas) dhe 3 meshkuj. Arsyeja e shoqërimit ka qenë kundërshtimi i punonjësve të policisë. Është marrë takim me të shoqëruarit të cilët pretendonin për prishje të paligjshme të banesave, skualifikim nga procesi i legalizimit dhe nga përfitimi monetar, përdorim i gazit lotsjellës dhe shoqërim me forcë nga forcat policore”,- thuhet në njoftimin e këtij institucioni.
Pranë Spitalit të Traumës ndodheshin disa banorë të dëmtuar që po trajtohen me kurim.
“Mbi bazën e ankesave të qytetarëve janë regjistruar 3 raste dhe ka filluar hetimi administrativ nga ana institucionit të Avokatit të Popullit në mbrojtje të të drejtave të tyre”,- njoftoi Avokati i Popullit.
Më herët, Presidenti Ilir Meta u bëri thirrje institucioneve që të nisin verifikimet për ngjarjen e sotme në Bregun e Lumit, ku banorët u nxorën me forcë nga banesat e policisë. Gjatë aksionit policia ndaloi raportimet e mediave nga terreni si dhe përdori gaz lotsjellës ndaj qytetarëve që të dilnin nga banesat.
KOHA JONË SONDAZH

