Dhuna ndaj grave/ Marshim në Berat dhe Elbasan: Duaje, mos e lëndo
Ky 8 mars po vjen ndryshe. Dhuna ndaj grave ka qenë në qendër të ditëve të fundit. Pensionistët e qendrës sociale Berat së bashku me qytetarë beratas kanë protestuar sot në qendër të qytetit. Marshimit të tyre sensibilizues kundër dhunës ndaj grave u janë bashkuar edhe qytetarë të shumtë beratas. Me pankarta në duar ku shkruhej ”Të mos heshtim ndaj dhunës”, ”Duaje, mos e lëndo, fali dashuri, qëndroji pranë”, ”Stop dhunës ndaj nënave dhe motrave tona” etj, protestuesit kanë marshuar për rreth 1-orë përgjatë pedonales së qytetit.
Protestuesit kanë deklaruar se,dhuna ndaj grave në Shqipëri ka ardhur si rezultat i varfërisë dhe kushteve të vështira ekonomike në të cilat jetojnë familjet shqiptare. Sipas tyre, pamundësia ekonomike për të ushqyer familjen dhe fëmijët i detyron të pijnë dhe të dhunojnë gratë. Protestuesit kanë kërkuar nga qeveria rritjen e pensioneve që sipas tyre janë qesharake. Pensionistët që u bënë sot pjesë e protestës sensibilizuese kundër dhunës ndaj grave, janë shtresa me pensione minimale, që ushqehet pranë një qendre sociale për shkak të pamundësisë ekonomike.
Edhe në Elbasan është organizuar një marshim në bulevard kundër dhunës ndaj gruas. Me pankarta në duar, marshuesit përcollën mesazhe jo dhunës dhe për barazi gjinore. Pensionistët që organiuzuan protestën paqësore kundër dhunës ndaj grave, janë shtresa me pensionet më minimale, që ushqehet pranë një qendre sociale për shkak të pamundësisë ekonomike. Vetëm në dy muajt e parë të vitit 2020 janë shënuar 4 krime në familje, me 4 gra të vrara, me motivet thuajse të njëjta, xhelozi dhe konflikte në familje.