Dhuna në familje, gati projektligji për ashpërsimin e dënimit
Në Kuvendin e Shqipërisë është depozituar një projektligj për ndryshime në Kodin Penal. Ky projektligj është depozituar nga deputetet e Partisë Socialiste Klotilda Bushka dhe Eglantina Gjermeni për ashpërsimin e ndëshkimit lidhur me veprën penale të dhunës në familje.
Sipas kësaj nisme parashikohen dënime nga një deri në pesë vite burg të kujtdo që dhunon bashkëshorten apo bashkëshortin nga dy vjet që është aktualisht. Konkretisht, në projektligj parashikohet ndryshim në nenin 130/a të Kodit Penal për veprën penale të dhunës në familje.
Ndryshimi i propozuar parashikon që rrahja dhe çdo vepër tjetër dhune fizike, seksuale, psiko emocionale, ndaj personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt ose në lidhje apo ish-lidhje intime me autorin e veprës penale, të dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.
Gjithashtu në këtë projektligj parashikohet që kur vepra penale e dhunës fizike apo psikologjike në familje, është kryer në mënyrë të përsëritur, personi i akuzuar dënohet nga dy deri në 10 vjet burg.
Kodi Penal në fuqi parashikon që kur vepra penale e dhunës fizike apo psikologjike në familje është kryer në mënyrë të përsëritur, dënohet nga një deri në pesë vjet.