Dhuna në familje/ Zgjerohet gama e të mbrojturve, rritet numri i institucioneve për trajtimin

Herion Mesi

Ekzekutimi i vendimeve gjyqësore për dhunë në familje mbetet shqetësues, duke rënduar dhe më tej gjendjen dhe sigurinë e personave të dhunuar. Kjo pasi në momentin kur gjykata lëshon një vendim gjyqësor që e detyron dhunuesin të qëndrojë larg banesës bashkëshortore, në fund të vendimit nuk parashikohet kush do ta ekzekutojë këtë vendim. Asnjë praktikë nuk është dërguar në Zyrën e Përmbarimit dhe kjo situatë i vendos gratë e dhunuara, dhe jo vetëm, në vështirësi ekonomike në shumicën e rasteve, në pamundësi për ta ekzekutuar në mënyrë efiçente vendimin e gjykatës. Dhunuesi e viktima qëndrojnë në të njëjtin ambient duke vënë në rrezik sigurinë dhe jetën e të dhunuarës, por edhe të fëmijëve. Urdhri duhet të ekzekutohet menjëherë nga përmbaruesit, komisariatet e policisë dhe dhunuesi, por në realitet nuk ndodh kështu. Ligji aktual nuk e lejon që përmbaruesit të nisin procedurat e ekzekutimit pa një kërkesë nga  personi i dhunuar.

Duke iu referuar statistikave, vetëm në 9 muajt e parë të vitit 2017 janë regjistruar mbi 3400 denoncime për dhunë në familje, nga të cilat 1940 kërkesa u regjistruan për urdhër mbrojtjeje. 11 persona, 8 prej të cilëve gra, bashkëshorte, nëna, kanë humbur jetën.

Swiss Digital Desktop Reklama

Projektligji

Swiss Digital Mobile Reklama

Në përgjigje të rasteve të shtuara të denoncimit të dhunës në familje, dhe në disa raste me pasoja tragjike, domosdoshmëria e harmonizimit me dokumentet dhe detyrimet ndërkombëtare dhe problematikat e dala gjatë zbatimit të këtij ligji nga autoritetet shtetërore përgjegjëse dhe gjykatat, qeveria shqiptare ka depozituar së fundmi në Kuvend propozimin për rishikimin e ligjit “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”.

Projektligji sanksionon një masë të re mbrojtëse, urdhrin paraprak të mbrojtjes së menjëhershme (UPMM), i cili është reagimi i menjëhershëm për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje përmes një urdhri të arsyetuar e të lëshuar nga punonjësi i Policisë së Shtetit ose struktura e Policisë së Shtetit që trajton çështjet e dhunës në familje. Një masë e tillë është mjaft e nevojshme për një mbrojtje më të shpejtë dhe më efektive. Ajo duhet të verifikohet nga gjykata brenda afatit të përcaktuar në projekt, gjë që nuk e humb aspak karakterin e masave mbrojtëse që ka vetë ligji.

Shtesat dhe ndryshimet e propozuara si dhe plotësimi i kuadrit nënligjor përkatës synojnë që, gjatë zbatimit të ligjit të përmirësuar, efektet të jenë në parandalimin dhe reduktimin e rasteve të dhunës në familje; rritjen e efiçencës dhe bashkëpunimit të strukturave përgjegjëse që punojnë në mbështetje të viktimave të dhunës në familje; rritjen e pjesëmarrjes së dhunuesve në shërbimet specifike të rehabilitimit, me fokus të veçantë dhunuesit e alkoolizuar, të droguar ose me probleme të shëndetit mendor, të dhëna qartësisht në vendimet e gjykatave për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes; rritjen e mbështetjes së kualifikuar gjyqësore falas për viktimat e dhunës në familje.

Relacioni

Në nenin 1 të projektligjit parashikohet shtimi i dy pikave, 3 dhe 4, të cilat sigurojnë që të drejtat themelore, barazia dhe mosdiskriminimi, në situatat e mbrojtura nga ky ligj, duhet të garantohen për të gjithë. Ndryshimet synojnë që ligji të mos kuptohet si një ligj vetëm për gratë e dhunuara. Pavarësisht se pika 3, e shtuar, ka lidhje me ligjin “Për mbrojtjen nga diskriminimi”, nga pikëpamja e teknikës legjislative, qeveria në draftin e saj vlerëson të qëndrojë, sepse evidenton më qartë një parim me rëndësi dhe masat për mbrojtjen e të drejtave të viktimave, të cilat nuk mund të konsiderohen nga dhunuesi si diskriminuese.

Në nenin 2 të projektligjit parashikohet harmonizimi me nenin 3, të Konventës së Stambollit sipas së cilës: “dhunë në familje” nënkupton të gjitha aktet e dhunës fizike, seksuale, psikologjike ose ekonomike që ndodhin brenda familjes ose njësisë shtëpiake, ose ndërmjet ish-bashkëshortëve ose partnerëve ose ndërmjet bashkëshortëve ose partnerëve aktualë, pavarësisht nga fakti nëse autori i veprës penale ndan ose ka ndarë të njëjtën banesë me viktimën”. Synohet të përditësohen përkufizimet e termave të rinj, të tillë si “njësi shtëpiake”; “Urdhër paraprak i mbrojtjes së menjëhershme ose UPMM” dhe të unifikohen disa të tjerë me legjislacionin për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve. Synohet të qartësohet dhe të shtohet rrethi i subjekteve të mbrojtura, nisur nga problemet e evidentuara në praktikë, të tilla si ato të dhëna në shkronjën “ë”, të pikës 7, në të cilën përfshihen personat që janë në lidhje afektive në çift, jo domodoshmërisht të shoqëruar me bashkëjetesë”, dhe në shkronjën “f”, të pikës 7, që e shtrin mbrojtjen në raportet e zbatimit të institutit të kujdestarisë mbi të miturit dhe personat, të cilëve u është hequr ose kufizuar zotësia për të vepruar, sipas dispozitave të Kodit të Familjes.

Në nenin 3, nëpërmjet riformulimit, synohet të eliminohet konfuzioni lidhur me kuptimin që i jepet “pjesëtarëve të familjes” dhe për këtë propozohet shtesa, me qëllim që të veçohet gjinia e gjakut në vijë të drejtë dhe të dalë më vete, dhe kjo me qëllim që të jetë sa më i qartë rrethi i personave të mbrojtur sipas këtij ligji për ligjzbatuesit. Ndryshimet në shkronjën “ç” synojnë unifikim të termave. Shtesa e termit “bashkëjetuesi” bëhet me qëllim barazinë e anëtarëve të familjes të krijuar nga martesa dhe nga bashkëjetesa, për sa kohë ky institut njihet nga Kodi Familjes. Shtohet një përkufizim i ri për kuptimin e fjalës “fëmijë”, i përputhur me ligjin nr.18/2017, “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”. Qëllimi i këtij përkufizimi është që të parashikohet se fëmija mund të jetë edhe viktimë, edhe dhunues dhe shpeshherë është ngritur çështja e fëmijës që ushtron dhunë në familje. Duke përfshirë këtë subjekt, që del vetëm si viktimë, qëllimi është që të sigurohet/shtrihet po ai trajtim dhe mbrojtje e fëmijës që parashikon ligji nr.18/2017, përkatësisht në nenet 65 dhe 66, për rastet e parashikuara lidhur fëmijët që kryejnë vepra penale nën moshën e përgjegjësisë penale. Po kështu, parashikohet shtimi i një neni të ri 3/1 pas neni 3, të ligjit ekzistues, me qëllim që të tërhiqet vëmendja lidhur me legjislacionin e zbatueshëm dhe t’i lihet vendi i duhur Konventës së Stambollit dhe Konventës së OKB-së për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave, që të njihen detyrimisht dhe të zbatohet për këtë ligj specifik.

Në nenin 4 të projektligjit synohet të riformulohet dhe të jepet qartë lista e institucioneve përgjegjëse për zbatimin e ligjit. Duke u nisur nga ndryshimet në emërtimin e ministrive si dhe të fushave të përgjegjësive që u ngarkohet pas ndryshimeve në qeveri, është menduar që emërtimi i tyre të bëhet sipas fushës së përgjegjësisë që mbulojnë. Gjithashtu, shtohet si një tjetër institucion përgjegjës ministria që mbulon çështjet e strehimit social. Pika 3 e këtij neni vendos një rregull të përgjithshëm që edhe një herë synon eliminimin e çdo konfuzioni lidhur me emërtimet e autoriteteve, duke eliminuar kështu problemet eventuale edhe për të ardhmen.

Neni 4

Neni 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 5

Autoritetet përgjegjëse

  1. Autoriteti kryesor përgjegjës për zbatimin e këtij ligji është ministria, që, sipas rastit, mbulon çështjet e barazisë gjinore dhe luftës kundër dhunës në familje.
  2. Autoritete të tjera përgjegjëse të linjës janë:
  3. a) Ministria e Brendshme;
  4. b) Ministria që mbulon çështjet e shëndetësisë;
  5. c) Ministria e Drejtësisë;

ç) Ministria që mbulon çështjet e arsimit;

  1. d) Ministria që mbulon çështjet e strehimit;
  2. dh) Njësitë e qeverisjes vendore.
  3. Lista e autoriteteve të tjera përgjegjëse të linjës, sipas pikës 2, të këtij neni, ndryshon nëse njëri prej tyre merr rolin e autoritetit kryesor përgjegjës. Në këtë rast, ky autoritet ka edhe rol kryesor përgjegjës dhe mbulon çështjet në fushën përkatëse.”.

Nenet 5, 6 e 7 të projektligjit, nëpërmjet riformulimeve, shtesave dhe ndryshimeve në nenet 6, 7 dhe 8 të ligjit ekzistues synojnë të japin qartësisht detyrat specifike për autoritetin kryesor përgjegjës, ministritë përgjegjëse dhe njësitë e qeverisjes vendore, lidhur me marrjen e masave për të parandaluar, luftuar dhe reduktuar dhunën në familje. Detyra dhe përgjegjësi të shtuara për këto institucione janë bërë në përputhje me kërkesat e Konventës së Stambollit dhe rekomandimeve të Konventës CEDAË, si dhe çështjeve që kanë dalë gjatë zbatimit të ligjit.  Këto detyra kanë të bëjnë me edukimin e të miturve dhe të rinjve; rehabilitimin e të miturve dhunues; trajnimet detyruese dhe vazhduese të profesionistëve që merren me dhunën në familje; përgatitjen e psikologëve si pjesë e rëndësishme e procesit të rehabilitimit të viktimave të dhunës psikologjike etj.

Shtesa të rëndësishme janë bërë në nenin 7, të ligjit ekzistues, ku parashikohet:

– ngritja e qendrave të emergjencës për trajtimin e menjëhershëm të viktimave të dhunës në familje;

– ngritja e strukturave trajnuese për dhunuesit;

– marrja e përgjegjësive nga njësitë e qeverisjes vendore për mbikëqyrjen dhe monitorimin e zbatimin e ligjit dhe trajtimin e rasteve të dhunës në familje;

– rregullimi i mënyrës së referimit të rasteve të dhunës në familje, monitorimi i ekzekutimit të urdhrave të mbrojtjes dhe të urdhrave të menjëhershëm të mbrojtjes.

Neni 8 i projektligjit parashikon që me ndryshimet e rëndësishme që i bëhen nenit 10, të ligjit ekzistues, të rriten alternativat dhe të fuqizohen masat mbrojtëse. Këto alternativa janë shtuar në përqasje më të mirë me standardet e Konventës së Stambollit, për efikasitetin e masave mbrojtëse, mbrojtjen e personave fëmijë dhe rritjen e aktivizmit të njësive të qeverisjes vendore për këtë qëllim. Një vëmendje të posaçme zënë masat mbrojtëse që synojnë rehabilitimin e dhunuesve, me fokus të veçantë dhunuesit e alkoolizuar, të droguar, ose me probleme të shëndetit mendor. Ndryshimet sjellin përmirësime edhe në efektet e masave mbrojtëse mbi fëmijët.

Neni 9, i projektligjit, sanksionon një masë të re mbrojtëse, urdhrin paraprak të mbrojtjes së menjëhershme (UPMM), i cili është reagimi i menjëhershëm për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje përmes një urdhri të arsyetuar e të lëshuar nga punonjësi i Policisë së Shtetit ose struktura e Policisë së Shtetit që trajton çështjet e dhunës në familje. Një masë e tillë është mjaft e nevojshme për një mbrojtje më të shpejtë dhe më efektive. Ajo duhet të verifikohet nga gjykata brenda afatit të përcaktuar në projekt, gjë që nuk e humb aspak karakterin e masave mbrojtëse që ka vetë ligji.

Neni 10, i projektligjit, sjell ndryshime në pikat 3, 4 dhe 5, të nenit 14, të ligjit ekzistues, me qëllim përmirësimin e mbështetjes me ndihmë ligjore të kualifikuar për viktimat e dhunës në familje, eliminimin e çdo shpenzimi paraprak për personin e dhunuar, si edhe masa për të siguruar gjykimin në një afat të shpejtë.

Neni 11, i projektligjit, parashikon ndryshime në nenin 15, të ligjit ekzistues, me qëllim që të rritet efektiviteti i zbatimit të këtij ligji në lidhje me përgjegjësinë disiplinore dhe administrative të punonjësve të institucioneve përgjegjëse, që nuk kryejnë detyrat e tyre për pajisjen e viktimës me provat e nevojshme për procesin gjyqësor.

Neni 12, i projektligjit, parashikon ndryshime të nenit 16, me qëllim për të unifikuar praktikat e gjykatave, pasi kanë proceduar me afate të ndryshme dhe e kanë interpretuar në mënyra të ndryshme formulimin ekzistues.

Neni 13, i projektligjit, parashikon ndryshime në nenin 19, që synojnë të përqasin ligjin me Konventën e Stambollit, duke ndaluar zgjidhjen e rasteve të dhunës në familje me pajtim ose ndërmjetësim. Gjithashtu, këto ndryshime (në përputhje me ndryshimet e nenit 43, të Kushtetutës), vendosin pamundësinë për të ankimuar vendimin e gjykatës për UMM, si dhe të përmirësojnë bashkëpunimin e rrjetit të institucioneve që zbatojnë urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes.

Neni 14, i projektligjit, parashikon ndryshime në nenin 20, të ligjit ekzistues me qëllim saktësimin e afatit për gjykimin e vërtetimit të urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, i cili deri tani ishte interpretuar në mënyra të ndryshme nga gjykatat.

Neni 15, i projektligjit, parashikon ndryshime në nenin 21, të ligjit ekzistues, në përputhje me ndryshimet e nenit 43, të Kushtetutës, si dhe mbi bazën e sugjerimeve të gjyqtarëve, avokatëve të shoqërisë civile etj., shfuqizohet paragrafi që autorizonte ankimimin e UMM-së si dhe përcaktohen afate për gjykimin e ankimeve për urdhrat e mbrojtjes nga Gjykata e Apelit, e cila është shkalla e dytë dhe e fundit që mund të gjykojë ankimet për urdhrat e mbrojtjes.

Neni 16 i projektligjit, parashikon ndryshime në nenin 23, të ligjit ekzistues, që synojnë të përmirësojnë dukshëm përmbajtjen ekzistuese, me qëllim fuqizimin e bashkëpunimit të rrjetit të organeve përgjegjëse për ekzekutimin e urdhrave të mbrojtjes, si dhe për rregullimin e sanksioneve për personat përgjegjës që nuk kryejnë detyrat e tyre për ekzekutimin e këtyre urdhrave.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?