Dhunohet rëndë pas koke avokati i Ilir Metës në Vlorë
Avokati i njohur i Vlorës, Kujtim Cakrani, njëkohësisht mbrojtësi ligjor i ish-Presidentit Ilir Meta, është dhunuar rëndë mesditën e sotme, rreth orës 13:30, në ambientet e një karburanti në hyrje të qytetit të Vlorës.
Sipas dëshmisë së tij, dy persona të panjohur e kanë sulmuar në momentin që ai po furnizohej me karburant. Fillimisht, autorët e kanë ofenduar dhe sharë verbalisht, ndërsa dyshohet se konflikti ka nisur për shkak të një parkimi, edhe pse vetë avokati shprehet se nuk beson se ky ka qenë shkaku i vërtetë i sulmit.
Më pas, situata ka agravuar në dhunë fizike, ku avokati Cakrani është goditur me një mjet prerës në pjesën e pasme të kokës. Si pasojë, ai ka pësuar një frakturë të rëndë dhe është transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku ndodhet i shtruar në repartin e reanimacionit.
“Ishin dy persona me një makinë. Më provokuan fillimisht dhe më pas më dhunuan. Nuk i njoh. Me njërin po bisedoja nga dritarja e makinës, ndërsa tjetri më goditi nga pas. Ishte goditje me mjet prerës pas koke. Unë isha i ulur në makinë. Më ofendonin dhe përmendnin parkimin, por mënyra e komunikimit ishte shumë agresive. Nuk di të them më shumë,” – ka deklaruar avokati Cakrani.
Burime spitalore bëjnë me dije se ai ka dëmtime serioze në kokë dhe aktualisht nuk arrin të qëndrojë në këmbë. Në spital pritet mbërritja e ekspertëve mjeko-ligjorë dhe përfaqësuesve të policisë, të cilët do të marrin dëshminë e tij dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Ndërkohë po shikohen kamerat e rrugës për të kapur autorët e këtij krimi.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 13:30, në rrugën Tranballkanike, pranë një karburanti, gjatë kohës që do furnizonte automjetin me karburant, shtetasi K.C., 55 vjeç, me profesion avokat, është përfshirë në një konflikt me dy persona ende të paidentifikuar.
Konflikti, që paraprakisht dyshohet se ka të bëjë me pozicionimin e automjetit në pikën e furnizimit dhe bllokimin e mjeteve të tjera, është përshkallëzuar, dhe dy personat ende të paidentifikuar e kanë goditur fizikisht shtetasin K.C., i cili po merr ndihmë mjekësore në spital.
Nga veprimet e para hetimore është bërë e mundur identifikimi i automjetit me të cilin janë larguar dy shtetasit.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
KOHA JONË SONDAZH

