Dhunuan gazetarët e ”Fiks Fare” dhe qëlluan me armë, shpallen në kërkim tre autorët

Policia e Shtetit ka shpallur në kërkim tre autorët e dyshuar për ushtrimin e dhunës verbale dhe fizike ndaj reporteres dhe kameramanit të emisionit investigativ “Fiks Fare”. Grupi i xhirimit po hetonte një rast paligjshmërie në afërsi të Niklës në qarkun e Durrësit.

“Në lidhje me rastin e transmetuar mbrëmjen e djeshme, në emisionin investigativ “Fiks Fare”, në të cilin shfaqeshin disa shtetas që gërryenin basenin e lumit Zezë dhe merrnin në kundërshtim me ligjin, inerte nga ky lum në fshatin Verjon, Fushë-Krujë, si dhe se në bashkëpunim me shtetas të tjerë, u konfliktuan me grupin e xhirimit të këtij emisioni dhe i kërcënuan me armë gjahu, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë, në vijim të veprimeve hetimore, të kryera menjëherë sapo morën njoftim për ngjarjen, shpallën në kërkim shtetasit:

E. K. (drejtuesi i ekskavatorit), G. K., 30 vjeç dhe H. V., 30 vjeç, pasi këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kërcënuar grupin e xhirimit, duke qëlluar me armë gjahu, në basenin e lumit Zezë. Po në kuadër të veprimeve të para hetimore të kryera për këtë rast, janë referuar materialet në Prokurori dhe ka nisur procedimi penal për shtetasit: A. L. (drejtuesi i kamionit) dhe E. Gj. (drejtuesi i kamionit), për veprat penale “Shpërdorimi i tokës” dhe “Kanosja për shkak të detyrës”. Gjithashtu, këtyre shtetasve iu sekuestruan mjetet e tonazhit të rëndë që përdornin në basen.

Gjithashtu, kanë nisur hetimet edhe për dy punonjës të IKMT-së, E. B. dhe F. Sh., pasi duke qenë përgjegjës për monitorimin e kësaj zone, dyshohet se kanë konsumuar elemente të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës””,-thuhet në njoftimin e Policisë.

SHKARKO APP