“Dialog” me arushin

Fejton nga Thoma Goga /
Udhëtimi im këtë radhë nga vendlindja për në Tiranë, ka patur një surprizë të rrallë. Bashkudhëtari im që kisha në krah, ishte një udhëtar i paparë. Nuk ishte as burrë, as grua, as i moshuar, as i ri, as fëmijë. Ndaj m’u duk vetja si në një përrallë. Ai ishte një arush, ose fëmijë origjinal i babait Ari. Zakonisht në udhëtime nuk flas fare, por këtë radhë u shkërrmoqa me muhabet. Do mundohem ta riprodhoj bisedën, ashtu si e regjistroi “hark-disku” im.
Në autobusin që do të udhëtoja, ishte i vetmi vend pranë një arushi, që shikoni edhe në këtë foto.
– Më falni, i lirë është ky vendi?
– Po, mund të uleni, në qoftë se nuk të bezdis prania ime..
-Uuaa, ç’është kjo fjalë. Ju keni vendin tuaj. Jeni shumë i sjellshëm, ndaj dua të prezantohem. Unë jam Tomi, mbase emrin ma ke dëgjuar.
– Unë jam Tao Tao, një nga djemtë e Ariut Murro. Nëna ime quhet Panda, ajo që bën qumësht të mirë. Edhe emrin tuaj e kam dëgjuar. Ju jeni Tomi, shok me Xherrin, atë mistrecin. Sa shumë të ngacmon! Megjithatë i dua këto filma.
– Në fakt unë jam Tom tjetër, po atij Xherrit pse i thoni mistrec? Atij atë rol i kanë caktuar dhe mirë e ka luajtur.
– Ua, prandaj janë të bukura përrallat. Ngjajnë ca me njerëzit…
– Për ku udhëtoni?
– O, lëre, lëre. Jam shumë i mërzitur. Kam tre ditë që udhëtoj. Isha i ftuar nga një kushëriri im në jug që martonte djalin. U mblodhëm të gjithë. Vetëm nusja nuk erdhi. Dhëndrri mbeti si hu. Punë majmuni…
– Po tani ku do shkoni?
– Te kopshti zoologjik. Atje kam dashnoren. Siç e shikoni, po i çoj zemrën time që të mos më tradhëtoi dhe ajo. Se edhe ne arinjtë jemi bërë si njerëzit…
– Nuk besoj, po të deshi me gjithë zemër, nuk të tradhëton. Po viti i ri ç’thotë?
– Si mos më keq. Nëna ime Panda vajti të marrë shpërblimet. Ishin mbaruar paratë. Bëri gjithë atë shamatë. Sherr i madh. Po bëhemi dhe ne si njërëzit…Tregtarët i ngrenë çmimet për ushqimet. Ne në pyll i kemi falas të gjitha. Nejse. I kanë mbushur dyqanet me lodra. Janë vëllezërit e mi arusha, me kushërinjtë majmuna e lepurusha e nuk i merr njeri. Duan pistoleta, automatika, makina, thika… Nuk blejnë as vegla muzikore se nuk u pëlqen muzika. O pika, pika! Na marrshin të keqen neve banorëve të pyllit. Ne bëmë festivalin më të mirë në botë. Këtë vit vendin e parë e mori bilbili. Po kur u nxeh një gomar që donte vendin e parë. O pika, pika! U ngrit kryetari i jurisë, dajë Luani; “Turp të keni, nuk do ta bëjmë festivalin tonë si pazaret që bëjnë njerëzit…”.
– Mirë e ka thënë. Paska qënë i zoti.
– Ua, dajë Luanin e respektojmë të gjithë në pyll. Pse si njerëzit jemi ne, që nuk merrët vesh kush është i pari vendit…
– Po kur keni pakënaqsira, ngriheni në protesta?
– Të ngrihet ndonjë, po ia mbajti. Dajë Luani, Ujku, President Elefandi, gjyshi im, e bëjnë pyllin zap. U shpëton çiçi , të them. Pse si njerëzit jemi ne?
Kur udhëtimit tonë i erdhi fundi, e urova të gjente “zemrën” e tij. Dhe ky ishte udhëtimi im më i bukur. E falenderova për bisedën e këndshme “me piper e sheqer”. Dhe si kujtim më la numrin e celularit dhe një fotografi…Gëzuar Vitin e ri, miku im…

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka forcë Berisha të rrëzojë kryeministrin Rama, edhe pas skandalëve të fundit?