“Diaspora do përfaqësuesit e saj në parlament, të sigurohet transparenca e votës”
Sokrat Sinaj, përfaqësues i diasporës shqiptare, tha në “Real Story” në Neës 24 se emigrantët kërkojnë përfaqësuesit e tyre në parlament dhe jo të abuzohet me votat e tyre. Të pyetur nga gazetari Sokol Balla nëse është diskutuar në takimet që kanë zhvilluar me përfaqësuesit politikë që diaspora të ketë përfaqësuesit e saj në parlament dhe votat të mos keqpërdoren nga partitë politike, Sinaj u shpreh se kjo ka qenë një kërkesë unanime e Këshillit Koordinues të Diasporës.
“E kemi thënë qartë dhe në mënyrë unanime ne kërkojmë që Diaspora të ketë të zgjedhurit e saj në Parlamentin e Shqipërisë. Dhe ata të zgjedhurit të bëjnë një Shqipëri tjetër, nuk duam që vota jonë të shpërndahet dhe abuzohet me të” tha Sinaj.
Ndërsa Anila Hyka Smorgrav tha se fillimisht duhet të ketë një regjistrim të emigrantëve dhe se kushdo që ka dëshirë të jap votën e tij do të regjistrohet pranë ambasadave përkatëse. Ajo kërkoi që të sigurohet transparenca e votës së diasporës, ndërsa u bëri thirrje autoriteteve shqiptare që problemet mekanike nuk duhet të jenë pengesë e ushtrimit të të drejtës së votës edhe nga emigrantët.
“Autoritetet shqiptare ndoshta nuk e dinë sa emigrante janë, por një nga kërkesat që ne vendosëm është dhe regjistrimi i tyre. Nëse do të fillojë fushata, regjistrimi i emigrantëve bëhet automatikisht, pasi të gjithë janë të regjistruar në ambasadat pranë vendit ku ndodhen. Shteti shqiptar nuk duhet ta shikojë elementin mekanik të të drejtës për të votuar si një pengesë. Pavarësisht formës që zgjedhin për votën, elektronik, miks apo në ambasadë, kushdo që ka dëshirë do të shkojë të regjistrohet dhe të votojë. E shikoj të realizueshme në mënyrë teknike edhe votën elektronike edhe ajo me postë apo në ambasada. Çdo lloj sistemi ka problem dhe hackera që mund të ndërhyjnë. Teknologjia ka përparuar, mjafton të vendoset mënyra dhe më pas të zhvillohen programet që sigurojnë transparencën e votës për të shmangur abuzimet” tha Anila Hyka Smorgrav.