“Diaspora për Shqipërinë e Lirë”: Çdo zgjedhje pas 9 janarit pa votën e emigrantëve, antikushtetuese
Diaspora për Shqipërinë e Lirë ka përgatitur me ekspertët e saj një Projektligj për ndryshimin e kodit zgjedhor të Republikës së Shqipërisë për votën e diasporës, të cilin e prezantuan këtë të premte në një tryezë ku merrnin pjesë dhe përfaqësues të KQZ-së, OSBE-së, Avokatit të Popullit dhe institucione e organizata të tjera rëndësishme.
Përfaqësuesi i “Diasporës për Shqipërinë e Lirë” Florjan Haçkaj tha se Gjykata Kushtetuese e ka njohur të drejtën e diasporës për të votuar dhe i ka dhënë kuvendit një vit kohë për të plotësuar kuadrin ligjor më 9 janar 2023. Ai theksoi se çdo palë zgjedhje pas këtij afati janë antikushtetuese.
“Pengesat kanë qenë ato të partive politike. Gjykata Kushtetuese e ka njohur të drejtën e diasporës për të votuar. I dha kuvendit një vit kohë për të plotësuar kuadrin ligjor më 9 janar 2023. Kanë ngelur vetëm 122 ditë sot që flasim për të mos kaluar në antikushtetueshmëri. Çdo palë zgjedhje pas këtij afati janë antikushtetuese. Ne jemi mësuar që politika të bëjë ç’të dojë, por ne jemi të bindur për ta çuar përpara, ndaj jemi këtu sot për të mos ua lënë në dorë”, tha Haçkaj.