Dibër, i arrestuari me shenja dhune në gjykatë
Gjykata e Dibrës dha masat e sigurisë për të arrestuarit për sulmin ndaj KZAZ 19 në Dibër. Arif Kaloshi, një prej të arrestuarve u shfaq në Gjykatë me shenja dhune, që sipas tij i janë bërë gjatë arrestimit.
Në Gjykatën e Dibrës u dhanë masat e sigurisë ndaj të arrestuarve për sulmin në KZAZ-19 mbrëmjen e 28 qershorit.
Arif Kaloshi, një prej të arrestuarve, u shfaq pas kafazit të xhamtë me hematoma në duar e të nxira në syrin e djathtë, të pretenduara se i janë shkaktuar gjatë arrestimit nga Forcat RENEA.
Nga kafazi i të akuzuarit ai dëgjohet teksa thotë se nuk ka bërë asnjë vizitë, ndërsa dikush në sallë i thotë se të gjitha do të zgjidhen.
Gjykata vendosi ta lirojë me detyrim paraqitje Arif Kaloshin, Jeton Kaloshin që mban postin e kreut të FRPD dhe të tjerë të akuzuar.
Mbrëmjen e 28 qershorit, mbështetës të opozitës protestuan dhe tentuan të futen me forcë në shkollën “Nazmi Rushiti” ku ishte ngritur KZAZ 19 në Peshkopi.
Sipas Policisë së Shtetit, protestuesit përdorën sende të forta, kapsolla dhe bomba molotov, në drejtim të punonjësve të Policisë.
Për ngjarjen, policia akuzon 51 persona, disa nga të cilët mbeten ende në kërkim.

KOHA JONË SONDAZH

