Dibra “model”, qyteti me pjesëmarrjen më të lartë në votime pas Tiranës, asnjë incident
Pas Tiranës, qyteti me pjesëmarrjen më të lartë në votimet e të dielës nga të dhënat e deritanishme renditet qyteti i Dibrës. Përveçse në rang kombëtar, trend pozitiv në rastin e Dibrës është edhe raporti me zgjedhjet e vitit 2017.
Gazetari Xhevahir Zhabina i cili sot është zhvendosur pikërisht në këtë qytet, raporton për ABC se gjatë procesit të votimit nuk ka pasur incidente, ndërsa në qendrat e votimit për shkak edhe të terrenit më të largët, është aplikuar votimi tradicional.
Në orët e mëngjesit janë regjistruar disa raste sporadike të mosmarrëveshjeve mes komisionerëve që janë lënë pas dhe procesi ka vijuar më pas normalisht.
Aktualisht policia ka rrethuar godinën ku do të bëhet numërimi i votave, por ajo që vihet re është se nuk ka grumbullime qytetarësh pranë saj, si në rastet e viteve të kaluara.
Komisionerët në disa qendra votimi në Dibër i thanë ABC se në mbështetje të Kodit Zgjedhor, në rast se do të ketë qytetarë në radhë për të votuar pas orës 19:00, ata do të lejohen ta ushtrojnë të drejtën e tyre. /abcnews.al