Diegia e banesave, Bashkia: Janë marrë masat për sistemimin e 11 familjeve

Bashkia e Tiranës ka reaguar në lidhje me situatën e krijuar në Shkozë pas djegies së barakave të Komunitetit Rom dhe përplasjes me Policinë. Nëpërmjet një njoftimi për mediat, Bashkia sqaron se janë marrë të gjitha masat për normalizimin e situatës dhe për sistemimin e 11 familjeve të prekura nga zjarri. Bashkia sqaron se ka ngritur disa cadra pranë Qendrës Tranzitore të Emergjencave në Tufinë.

Po ashtu bashkia dënon aktet e dhunës të ushtruara nga disa pjesëtarë të komunitetit rom në drejtim të policisë.

Deklarata e Bashkisë

“Bashkia e Tiranës ka marrë të gjitha masat e nevojshme për normalizimin e situatës së krijuar pas rënies së zjarrit në banesat e komunitetit rom në Shkozë, si dhe për sistemimin e 11 familjeve të prekura nga zjarri. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë punonjësit e shërbimit zjarrfikës, Policisë së Shtetit, Policisë Bashkiake, si dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Social në Bashkinë e Tiranës, të cilat janë angazhuar për fikjen e zjarrit dhe vijojnë të jenë në terren për t’u ardhur në ndihmë dhe sistemuar familjet e komunitetit rom.

Deri në sqarimin e plotë të ngjarjes, Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim edhe me Prefektin e Tiranës, ka ngritur disa çadra të reja pranë Qendrës Tranzitore të Emergjencave në Tufinë për strehimin e përkohshëm të familjeve të prekura nga zjarri, deri në gjetjen e një zgjidhje e qëndrueshme për sistemimin e tyre afatgjatë. Qendra Tranzitore e Emergjencave strehon tashmë, disa familje të komunitetit rom në ambiente të sigurta për ta dhe fëmijët e tyre.

Bashkia e Tiranës po punon për një plan konkret për përmirësimin e jetesës së banorëve të këtij komuniteti. Në kuadër të këtij plani, bashkia ka përfunduar procedurat për fondet e programit IADSA për ndërtimin e 60 banesave dhe programeve të përshtatjes për fuqizimin e familjeve të këtij komuniteti.

Bashkia e Tiranës dënon çdo akt dhune të ushtuar sot ndaj punonjësve të policisë nga disa anëtarë të familjeve të komunitetit rom, si dhe dëmet e shumta materiale të shkaktuara ndaj banesave sociale, ku aktualisht jetojnë disa familje rome, të cilat kanë përfituar një banesë sociale me vendim të Këshillit Bashkiak të Tiranës, sipas të gjitha rregullave të përcaktuara për aplikim nga Bashkia e Tiranës.

Gjithashtu, Bashkia e Tiranës shpreh keqardhjen për deklaratat e këshilltarëve të Partisë Demokratike të cilët, si çdo herë tjetër, edhe në këtë rast shpejtuan të përfitojnë nga situata e familjeve të komunitetit rom në Shkozë për kapital politik. Gjatë 4 viteve të fundit, kur në krye të Bashkisë së Tiranës ishte vetë kryetari i PD-së, nuk dhanë kurrë asnjë zgjidhje konkrete për këto familje, duke i injoruar dhe nxjerrë në qiell të hapur për llogari të lejeve për pallate.

Inkurajimi i vandalizimit të pronës publike, sipas modelit të protestave të PD-së, për t’i marrë zgjidhjet me dhunë, nuk funksionon dhe nuk do të tolerohet në qytetin e Tiranës”.

SHKARKO APP