Dietologia Bombaj tregon si u hartua menuja për çerdhet
Dietologia Blerina Bombaj ka folur për menunë e re që ka hartuar për kopshtet e çerdhet në studion e ”Ora News” me Ilva Tare. Ajo ka treguar se kjo nismë u bazua në të ardhmen e të rinjve, për t’i siguruar atyre një jetë të shëndetshme, larg sëmundjeve kronike.
Pjesë nga biseda
Çfarë ka ndryshuar në dietën e fëmijëve dhe përse e ke bërë këtë revolucion? Pse e ke sugjeruar dhe ku mendon të arrish?
Mendoj që në gjithë këto vite eksperiencë, jam përballur mjaftueshëm me gjithë problematikat e popullatës, nga të vegjlit deri tek të rriturit. Ajo që kemi bindje unë dhe gjithë komuniteti shkencor është që ndërhyrja më efektive bëhet si parandalim dhe ky parandalim mund të kryhet me rezultate pozitive vetëm në moshën e fëmijëve, të cilët janë ata që mund të formohen më mirë, mund të përpunohen më shumë dhe aty mund të ndërhyjmë me shumë më tepër efikasitet.
Kjo ka qenë arsyeja për të cilën e kemi marrë bashkë me drejtuesit e kopshteve dhe çerdheve, me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit, një nismë e cila u mor me shumë përkushtim për një të mirë të madhe e cila mund ti bëhet shoqërisë sonë, brezit të ri në mënyrë që në të ardhmen të mos vuajnë nga sëmundjet kronike që po shohim sot nëpër spitale. Sëmundjet më mirë të parandalohen sesa të trajtohen sepse trajtimi është shumë i vështirë.
Si ka reaguar komuniteti, si edukatorët në arsim por edhe prindërit ndaj kësaj menuje të re? A janë kushtet në çerdhe e shkolla për të gatuar?
Gatimet janë shumë të thjeshta, ushqimet janë shumë të zakonshme. Nuk ka asnjë ushqim të jashtëzakonshëm përvec se tërshërës që është ushqim i ri, i cili është vendosur sepse është një ndër ushqimet më të shëndetshme që mund të marrë një fëmijë i vogël, i plotëson nevojat maksimalisht në proteina, në fibra për të cilat kanë nevojë dhe duke i rregulluar e stabilizuar aparatin tretës, duke i dhënë një ushqim të mrekullueshëm për florën bakteriale e cila përgjigjet për një pjesë të mirë të imunitetit të fëmijëve.
Përveç tërshërës, absolutisht asnjë ushqim tjetër nuk është i jashtëzakonshëm. Janë ushqime të zakonshme, por ndërhyrja është radikale sepse kemi pasuruar jashtëzakonisht shumë menunë me një gamë shumë të gjerë ushqimesh të botës bimore, të cilat vijnë në një kombinim ideal për të marrë jo vetëm kalori, jo vetëm proteina, yndyrna dhe karbohidrate që janë ato që na japin kalori por të plotësohen më së miri me minerale, fibra dhe antioksidantë, lëndë ushqyese për të cilat ka nevojë maksimalisht një fëmijë që është në rritje.
Nuk ka nevojë vetëm për kalori boshe dhe ne mund të themi se menuja deri tani ka qenë me kalori të tepërta por boshe. Kemi hequr tepricën e kalorive boshe dhe jemi përpjekur që ato kalori ti mbushim me gjithë lëndët e tjera ushqyese se një organizëm ka nevojë për 45 lëndë ushqyese në ditë.
KOHA JONË SONDAZH

