Digjet makina e gjyqtarit (Foto + Video)

Rreth orës 23:30 minuta të natës , një automjet në pronësi të shtetasit A. Y. është përfshirë nga flakët.

Ymeri ka qenë drejtues për disa vite i gjykatës së Shkodrës.

Dyshohet se zjarrvënia është e qëllimshme. Ndërkohë siç shihet dhe nga pamjet nga zjarri janë dëmtuar dhe dy makina të tjera aty pranë.

Menjëherë flaka është përhapur me shpejtësi duke shkrumbuar mjetin tip “Benz” të gjyqtarit Ymeri. Dy autorët pasi sigurohen në pak sekonda se mjeti mori flakë dhe po digjej janë larguar me shpejtësi në drejtim të Gjuhadolit andej edhe nga kanë ardhur. Autorët në videon e siguruar nga policia shihen duke u afruar dhe duke e lyer mjetin me benzinë e më pas duke i vënë flakën.

Duhen vetëm pak sekonda që ajo makinë të digjet. Menjëherë pas zjarrit të përhapur me shpejtësi janë lajmëruar efektivët zjarrfikës të cilët kanë mbërritur në vendngjarje duke tentuar të shuajnë flakët.

Nga zjarri në mjetin e gjyqtarit është kapur nga flakët edhe një makinë tjetër që ndodhej ngjitur me të. Të dy mjetet janë shkrumbuar plotësisht në të gjitha pjesët. Efektivët e zjarrfikësve kanë shuar flakët aq sa kanë mundur tek dy makinat e djegura. Pas verifikimit nga policia se djegia është e qëllimshme nga dy persona të paidentifikuar dhe se mjeti është i gjyqtarit Andri Ymeri në vendngjarje kanë mbërritur edhe forca të shumta policie por edhe vetë gjyqtari A. Y.

Policia ka nisur hetimet për këtë ngjarje të ndodhur për të identifikuar autorët e më pas për të bërë të mundur kapjen e tyre. Deri më tani efektivët nuk kanë arritur që të bien në gjurmët e autorëve të cilët janë larguar me shpejtësi por edhe është e vështirë për t’i identifikuar për shkak të skafandrës që kanë në kokë dhe veshjes me rroba të zeza. Forcat e policisë dyshojnë se kjo ngjarje lidhet me punën e gjyqtarit dhe ka dyshime se është një mesazh në adresë të tij.

Shkodër/ Digjet makina e gjyqtarit

SHKARKO APP