Diplomati Shaban Murati: Çfarë dreqin po negocion Edi Rama me Greqinë?
Diplomati shqiptar, Shaban Murati është shprehur i revoltuar me Qeverinë e drejtuar nga Edi Rama, e cila po zhvillon negociatat me Greqinë për përcaktimin e kufijve detarë. Duke iu referuar deklaratës së ministrit të Jashtëm grek, Nikos Kotzias, e bërë tre ditë më parë dhe ku ai konfirmon njohjen e “Aktit të Parisit” që përcakton kufijtë detare midis Shqipërisë dhe Greqisë që në vitin 1926, Murati thekson se ky është një moment historik.
“Ministri i jashtëm grek Nikos Kocias bën një deklaratë historike:” A i njohim ne kufijtë e formuluar sipas Aktit Final të Helsinkit? A e njohim ne Aktin Final të Parisit të vitit 1926?”. (3 korrik 2018, Faqja zyrtare e MPJ të Greqisë).Është hera e parë në 92 vite që një ministër i jashtëm grek konfirmon dhe pranon zyrtarisht dhe publikisht plotfuqishmërinë e “Aktit Final të Delimitimit të kufijve të Shqipërisë” të 30 korrikut 1926, të firmosur në Paris nga katër fuqitë e mëdha dhe nga qeveritë e Shqipërisë dhe të Greqisë. Pra pranon ekzistencën e kufijve tokësorë dhe detarë midis dy vendeve, të vulosur nga “Akti i Parisit” në 1926”, shkruan Murati.
Shaban Murati shpreh shqetësimin se ku e gjejnë të drejtën Edi Rama dhe Ditmir Bushati të diskutojnë për çështjen e kufijve detarë midis dy shteteve, kur vetë ministri grek pranon marrëveshjen e 1926-ës, që i ka dhënë zgjidhje kësaj çështjeje.
Reagimi i Shaban Muratit:
Greqia pranon “Aktin e Parisit” për kufijtë, Shqipëria e ka harruar
Ministri i jashtëm grek Nikos Kocias bën një deklaratë historike:” A i njohim ne kufijtë e formuluar sipas Aktit Final të Helsinkit? A e njohim ne Aktin Final të Parisit të vitit 1926?”. (3 korrik 2018, Faqja zyrtare e MPJ të Greqisë).
Është hera e parë në 92 vite që një ministër i jashtëm grek konfirmon dhe pranon zyrtarisht dhe publikisht plotfuqishmërinë e “Aktit Final të Delimitimit të kufijve të Shqipërisë” të 30 korrikut 1926, të firmosur në Paris nga katër fuqitë e mëdha dhe nga qeveritë e Shqipërisë dhe të Greqisë. Pra pranon ekzistencën e kufijve tokësorë dhe detarë midis dy vendeve, të vulosur nga “Akti i Parisit” në 1926, akt ku gjithashtu qeveria greke “angazhohet në respektimin me besnikëri dhe ligjëshmëri te Protokolleve dhe të Konventave të bashkëlidhur Akteve të caktimit të kufijve”. (AQSH,149 mv.1926, DI-790,fl.2).
Kur vetë ministri i jashtëm grek pranon se kufijtë tokësorë dhe detarë të Shqipërisë janë përcaktuar përfundimisht që në vitin 1926, me çfarë dreq të drejtë Tirana hap dhe diskuton çeshtjen e paqenë të kufijve detarë midis dy vendeve në vitin 2018?
Faksimilen dhe analizën e “Aktit Final të Delimitimit të kufijve të Shqipërisë” të vitit 1926 e keni në librin tim “Çeshtja e paqenë e detit: Një intrigë diplomatike greke apo shqiptare?”, Tiranë, 2018.
KOHA JONË SONDAZH

