Diplomohen 402 oficerë, Lleshaj: Duhet trimëri, nuk bëhesh i pasur si polic
402 djem e vajza i bashkohen sot radhëve të Policisë së Shtetit. Në ambientet e jashtme të Ministrisë së Brendshme u zhvillua ceremonia e diplomimit të oficerëve të rinj të Policisë Kriminale dhe Patrullës së Përgjithshme, ku mori pjesë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj. Gjatë fjalës së tij, Lleshaj tha se të diplomuarit e rinj janë për të krijuar të mirën publike bazë, sigurinë e qytetarëve, Ministri shtoi se të punuarit në radhët e strukturave të sigurisë publike kërkon përveçse profesionalizëm, trimëri, nder e moral të lartë. Ai nënvizoi se karriera që kanë zgjedhur nuk i bën të pasur por i shpërblen me mirënjohjen e publikut.
”402 djem e vajza i bashkohen sot radhëve të Policisë së Shtetit duke shënuar kështu një moment të rëndësishëm ripërtëritje dhe modernizimi të saj. Krahas atyre që përfunduan kolegjin e Policisë për t’u bërë pjesë e bazës solide të saj, 158 të tjerë përfundojnë studimet e larta dhe bëhen pjesë e trupës drejtuese si nënkomisarë policie, ndërkohë që 36 studentë që i kanë përfunduar më parë me rezultate të larta studimet universitare, përfundojnë sot kursin e oficerit të Policisë Kriminale dhe i bashkohen strukturave të specializuara të hetimit. Kjo prurje e konsiderueshme cilësore, e përzgjedhur ndër mijëra kandidatë, shënon një hap tjetër të rëndësishëm në kuadër të një programi të madh të qeverisë shqiptare për të përmirësuar në mënyrë rrënjësore nivelin profesional të Policisë së Shtetit”.
Nga ana tjetër, ai shtoi se së shpejti do të hapen programe të reja për 600 të rinj e të reja që fillojnë Akademinë e Sigurisë. ”Ne do ta thellojmë më tej procesin e modernizimit të Policisë së Shtetit, duke vijuar me konsekuencë programin e rritjes dhe të përtëritjes së saj. Pas pak ditësh do të hapim programet e reja, për rreth 600 të rinj e të reja që fillojnë Akademinë e Sigurisë, 60 prej të cilëve do të jenë përsëri nga radhët e studentëve të shkëlqyer, që i kanë përfunduar ndërkohë studimet universitare në degë të përzgjedhura”
Ndër programet ambicioze në proces ministri përmendi kampusin e ri të Policisë së Shtetit dhe Akademisë së Sigurisë, komisariatet e reja të Policisë, Policinë Shkencore, fuqizimin dhe modernizimin e flotës së automjeteve, pajisjet individuale dhe kolektive të Policisë, modernizimin e Policisë Kriminale, asaj Kufitare etj. Në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu. Prania e forcave të shumta të policisë që mbrëmjen e së dielës për organizimin ceremonisë, shkaktoi panik tek Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, të cilët hynë në ambientet e brendshme, pasi menduan se kjo ceremoni do të përdorej për të nisur shembjen e godinës, megjithatë ajo përfundoi pa asnjë incident.