Disfata më 14 Maj, Jozifina Topalli flet për humbjen në Lezhë: Nuk na lanë as vulën, as emrin. Fenomeni Rraja…

2 muaj pas zgjedhjeve lokale të 14 Majit, vijojnë të diskutohen arsyet e disfatës nga grupi i Sali Berishës në PD, i njohur si Rithemelimi. Sot është e deleguara e Berishës për qarkun e Lezhës, Jozefina Topalli që lexoi raportin e përgatitur, dhe tha se fenomeni “Rraja”, me bandat e mbështetura nga politika, ndikoi në rezultatin e zgjedhjeve atje.

Në krah të kandidatëve humbës të koalicionit “Bashkë Fitojmë” në Lezhë e Kurbin, Topalli tha se këto ishin zgjedhje të pabarabarta, pasi opozitës nuk iu lejua të mbajë logon e vulën, duke iu referuar luftës në PD. Në qarkun e Lezhës, koalicioni i Berishës dhe Metës humbi thellë në dy bashkitë Lezhë e Kurbin, ndërsa fitoi me rezultat të ngushtë në Bashkinë e Mirditës.

”Ajo që ka ndodhur në qarkun e Lezhës duhet të kujtohen skenat e fisit Rraja në Krujë, pamje që tronditën opinionin publik. Bandat të mbështetura nga politika dhe me para të madhe kanë ndikuar në qarqe, mbi të gjitha aty ku fitorja e probabilitetit është shumë e madhe. Fisi Rraja ekziston dhe në qarkun Lezhë, sjellja e tyre brutale është në bashkitë e Rrogozhinës, Shkodrës por të flasësh për zgjedhje që plotësojnë kriteret e Copenhagen, është jashtë realitetit.

A mund të votosh i lirë nëse ti dhunohesh, kërcënohesh siç kemi parë pamjet nga familja Rraja, ato pamje shpjegojnë më shumë fakte se ca do shpjegohet tani. Janë zgjedhjet më të pabarabarta në 3 dekada, ku një force politike i vidhet logoja dhe vula, që mos lejohet opozita të hyjë në zgjedhje, s’ka ndodhur kurrë që mos të kishim emrin e drejtuesit të koalicionit.

Ndoshta është dhe ndër rastet e radha për t’u diskutuar, por kurrë ndonjëherë fuqia e korruptimit s’ka qenë më e fortë sesa këtë radhë, apo administrata të përdorej dhe të kërcënohej për tu përdorur në favor të partisë në pushtet”, tha ajo.

SHKARKO APP