Diskriminimi i lë nxënësit romë jashtë shkollës në Shqipëri

Donald Qerimi, një adoleshent nga qyteti i Korçës në juglindje të Shqipërisë, nuk eci mirë si nxënës gjatë vitit të parë të gjimnazit dhe u desh të përsërisë klasën.

Gjithsesi, kur ai u rikthye për t’u regjistruar shtatorin të 2013-ës në shkollën e mesme Themistokli Gërmenji, drejtori i shkollës nuk pranoi ta regjistrojë.

“Drejtori nxorri si shkak mungesat dhe sjelljen time, por në të vërtetë ai s’donte të më regjistronte sepse unë jam rom”, thotë 15-vjeçari Qerimi.

Të pafuqishëm për të mposhtur refuzimin e drejtorit për të regjistruar Donaldin, prindërit e tij iu drejtuan për ndihmë një organizate joqeveritare, qendra “Qëndistarët”.

Megjithëse puna kryesore e qendrës është për integrimin e grave rome në shoqëri, ata pranuan të angazhohen për të ndihmuar në zgjidhjen e problemit.

Gjithsesi, pavarësisht ndërmjetësimit të qendrës, drejtori i shkollës qëndroi i palëkundur në refuzimin e tij për të regjistruar Donaldin.

“Pasi bëmë disa përpjekje në Drejtorinë Arsimore Rajonale të Korçës, sërish drejtori nuk pranonte ta bënte regjistrimin. Madje me përçmim thoshte ‘se një evgjit (term ofendues i zonës së Korçës për anëtarët e komunitetit rom) po i krijonte probleme,” thotë Etleva Tare, drejtoresha ekzekutive e qendrës “Qëndistarët”.

“Drejtori përsëriste se edhe sikur t’i ngrihej i ati nga varri nuk do e regjistronte këtë fëmijë”, shtoi Tare.

Kur u pyet nga BIRN, drejtori i shkollës, Vangjel Simaku, mohoi se vendimi për të ndaluar regjistrimin e Qerimit ishte rezultat i diskriminimit racor duke thënë se ai bazohej në numrin e madh të mungesave.

“Ai nxënës kishte shumë mungesa dhe shumë shkelje të rregullores,” tha Simaku. “Madje unë shumë vonë mora vesh se ai i përkiste komunitetit rom”, shtoi ai.

Pasi përpjekjet për negocim me drejtorin e shkollës dhe me Drejtorinë Arsimore Rajonale nuk dhanë rezultat, në mënyrë që Donaldi të riniste shkollën, në tetor 2013, Qëndistarët u ankuan formalisht për diskriminim racor nga ana e shkollës te komisioneri kombëtar kundër diskriminimit.

Pasi mori ankesën, komisioneri kreu një hetim. Hetimi doli në konkluzionin se drejtori i shkollës e kishte diskriminuar Qerimin dhe urdhëroi Drejtorinë Arsimore Rajonale ta regjistrojë atë.

Gjithsesi, hetimi i komisionerit nuk gjeti asnjë provë se diskriminimi qe me motive racore. Nuk pati gjoba apo penalitete të tjera mbi drejtorin edhe pse sanksionet janë të përcaktuara në ligj.

Neni 33 i ligjit shqiptar kundër diskriminimit thotë se çdo zyrtar publik që ‘shkel dispozitat e këtij ligji’ mund të dënohet me gjobë nga 30 mijë në 80 mijë lekë.

Komisioneri shqiptar kundër diskriminimit, Irma Baraku, i tha BIRN se vendosja e gjobave nuk qe pjesë e filozofisë së saj, e cila synon të zgjidhë rastet e diskriminimit në një “mënyrë pozitive”.

Gjithsesi, përqasja e butë e Barakut nuk mbështetet nga grupimet e të drejtave të njeriut. Ata argumentojnë se diskriminimi kundër romëve është i shumëpërhapur në sektorin arsimor dhe ata që gjenden përgjegjës për diskriminim të tillë duke të përballen me forcën e plotë të ligjit.

Për shkak se shumica e familjeve rome nuk janë zyrtarisht të regjistruara në vendbanimet e tyre, vlerësimet mbi numrin e këtij komuniteti ndryshojnë shumë.

Censusi i Përgjithshëm i Popullsisë dhe Banesave në vitin 2011 i kryer nga Instituti i Statistikave, INSTAT, vlerësoi se popullsia rome është 8,301 individë.

Sipas një censusi tjetër i pjesshëm mbi popullsinë rome të kryer nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, OSFA në vitin 2014, “minoriteti gjuhësor” u vlerësua se qe 18,276 individë, nga të cilët 6,799 prej tyre janë fëmijë.

Të dhënat e publikuara nga Ministria e Arsimit dhe e Sportit sugjerojnë se vetëm gjysma e fëmijëve romë në vend janë të regjistruar në shkolla.

Sipas organizatës Save the Children, rasti i Qerimit nuk është i pazakontë. Kjo organizatë e të drejtave të fëmijëve në raportin e saj për Shqipërinë thekson se fëmijët romë/egjiptianë në Shqipëri vijojnë të vuajnë nga përjashtimi dhe segregimi në shkolla apo kopshte.

“Vetëm 13.5 për qind e fëmijëve romë në moshën 3-5 vjeçare marrin pjesë në arsimin parashkollor në Shqipëri. Rreth 54 për qind e fëmijëve romë në moshë shkolle nuk kanë shkuar kurrë në shkollë dhe 43 për qind e tyre në moshën 15-16 vjeç janë analfabetë,” vëren kjo organizatë.

“Në një çdo dy fëmijë romë të moshës 6-16 vjeç ikën nga shkolla. Rreth 54 për qind e fëmijëve romë/egjiptianë të moshës së arsimit të detyruar (6-16 vjeç) nuk e kanë përfunduar ende arsimin e detyruar,” shton raporti i vitit 2013.

Komisioni është një institucion i pavarur. I krijuar në vitin 2010, ai ka për detyrë të zbatojë ligjin shqiptar kundër diskriminimit, në mënyrë që të luftojë dhe dekurajojë të gjitha format e diskriminimit me bazë race, etnie, orientimi seksual apo tjetër.

Komisioneri mori shtatë ankesa për diskriminim në sistemin arsimor bazuar në racë në vitin 2013 dhe tetë në vitin 2014.

Nga shtatë hetimet administrative të nisura më 2013, bazuar në ankesat apo të kryera ex officio, komisioneri nuk gjeti prova për diskriminim në gjashtë prej tyre. Në rastin e Qerimit, hetimi doli në konkluzionin se diskriminimi nuk qe i shkaktuar nga përkatësia e tij rome.

BIRN rishikoi të gjitha vendimet për hetimet e rasteve kur komisioneri nuk ka gjetur diskriminim.

Në një pjesë prej tyre, kur komisioneri qe në gjendje të zgjidhte çështjen me ndërmjetësim, hetimi mbyllej me vendimin se nuk është zbuluar diskriminim.

Për shembull, kur kreu i një shkolle fillore në Tiranë refuzonte të regjistronte një fëmijë rom,komisioneri e mbylli hetimin pasi drejtori ndryshoi mendim – sapo ankesa qe dorëzuar dhe hetimi administrativ qe nisur.

“Qëllimi ynë nuk është të vëmë gjoba, por t’ia arrijmë qëllimit për të hequr situatën diskriminuese”, thotë Baraku. “Dikush mund të niset nga filozofia e sanksionit, por unë nisem nga sa çështje janë zgjidhur pozitivisht”, vijon Baraku.

Baraku i tha BIRN që dispozitat e ligjit anti-diskriminim parashikojnë vendosjen e gjobave vetëm nëse komisioneri urdhëron rregullime ose masa, dhe personi kundër të cilit është paraqitur ankesa nuk i zbaton brenda një afati të arsyeshëm.

Megjithatë, në rezolutën për punën e komisionerit të aprovuar nga parlamenti ne qershor 2014,ligjvënësit konstatojnë se gjatë 2013-ës në veprimtarinë e komisionerit “ka një numër të ulët të aplikimit të masës administrative “ gjobë.”

Parlamenti i kërkon komisionerit që të aplikojë “një politike më strikte në përmbushje të sanksioneve administrative sipas përcaktimeve të ligjit.”

Fation Qama, një specialist kundër diskriminimit te organizata “Fëmijët e Botës dhe të Shqipërisë -Të Drejtat e Njeriut”, thotë se drejtorët apo mësuesit që demonstrojnë sjellje diskriminuese duhet të sanksionohen apo edhe të pushohen nga puna nëse është e nevojshme.

Avokati i Popullit Igli Totozani shkon më tutje, duke argumentuar se zyrtarët që gjenden fajtorë për diskriminim kundër romëve duhet të përndiqen penalisht.

“Në rastet e ankesave nga anëtarët e komunitetit rom mbi diskriminimin racor në shkolla, përgjegjësit e veprimeve të tilla duhet të përndiqen penalisht,” tha Totozani.

Qama thotë se diskriminimi kundër fëmijëve romë në arsim shpjegon se pse shkalla e braktisjes së shkollës prej tyre është kaq e lartë.

Ajo që është e nevojshme është të krijohet fryma e gjithëpërfshirjes, gjë që do të thotë mbështetje më aktive nga politikbërësit dhe zyrtarët e sistemit arsimor drejt këtyre fëmijëve.

“Të gjithë këto faktorë të marrë sëbashku jo vetëm që mund të ndihmojnë në integrimin e tyre në shkollë por edhe në integrimin e tyre në shoqëri,” thotë Qama.

Ky artikull u prodhua si pjesë e iniciativës “Fuqizimi i Bashkëpunimit mes Shoqërisë Civile dhe Gazetarëve Investigativë,” me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.

Ola Mitre

SHKARKO APP