Dita botërore e kancerit, Vokshi: Qeveria ka braktisur qytetarët

Sot është Dita Ndërkombëtare Kundër Tumoreve. Partia Demokratike me këtë rast ka organizuar një marshim ndërgjegjësimi me moton “E duam jetën, e duam veten”, duke iu bashkëngjitur kështu fushatës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë me moton “I am and I will”.

E pranishme në këtë marshim ishte dhe ish-deputetja e PD Albana Vokshi, e cila tha se shifrat në Shqipëri janë më shumë se alarmante.

Ajo u shpreh se ka 20 raste të reja në ditë, të evidentuara vitin e kaluar me tumore ose 7 mijë raste të reja në një vit, duke përmendur këtu një shifër akoma më shumë frikësuese, që shërueshmëria e kësaj sëmundje në Shqipëri është vetëm 20-25%; në një kohë kur në Angli është 65-70% apo në Itali që është edhe vendi i parë në Europë shkon edhe 85-90% për lloje të ndryshme kanceri.

Albana Vokshi: ‘’Në momentin që qeveria i ka braktisur qytetarët e saj, kur fondet janë vetëm gjysma e atyre që nevojiten për t’u kuruar, në mungesë të infrastrukturës, të pajisjeve, në një kohë kur qytetarët e Tiranës jetojnë në kryeqytetin më të ndotur të Europës apo një nga tre qytetet me të ndotura në Europë, kur miliona metra katror leje ndërtimi nga Erion Veliaj që e ka bërë mbytëse jetesën në Tiranë, ku ajrin e ka bërë helmues për qytetarët e Tiranës, që rrit kështu frikshëm edhe shifrat e sëmundshmërisë, Partia Demokratike ka vendosur të jetë përsëri në krah të qytetarëve.’’

Ish-deputetja demokrate ftoi të gjithë qytetarët që të bashkohen në këtë marshim.

Albana Vokshi: ‘’Ne jemi sot këtu dhe ftojmë të gjithë qytetarët të na bashkohen në këtë marshim sensibilizues për të vetëdijësuar të gjithë qytetarët shqiptarë që të bëjnë të gjitha përpjekjet për të bërë të gjitha ekzaminimet e duhura, në mënyrë që të parandalojnë këtë sëmundje.

Ne jemi sot këtu për të bërë thirrje, për të ngritur zërin për çdo qytetar shqiptar, për çdo qytetar të Tiranës, që të reagojnë. Për t’i bërë thirrje çdo qytetari shqiptar që të dojë jetën, që të dojë familjen, që të dojë fëmijët e tij.’’

Vokshi tha gjithashtu se për Partinë Demokratike jeta dhe shëndeti i qytetarëve është primare.

Ndërkohë, po në ditën botërore të kancerit, Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ishte në Selenicë të Vlorës.

Ajo tha se qeveria tashmë ka një program kombëtar për parandalimin e kancerit të mitrës dhe se testi për zbulimin e këtij tumori ofrohet falas në të gjitha qendrat shëndetësore.

Ogerta Manastirliu: ‘’Perveç check up-it dhe një ndër programet e rëndësishme është programi i parandalimit të kancerit të qafës së mitrës. Ne e kemi përfshirë si paketë në programin tonë kombëtar në çdo qendër shëndetësore. Ne zgjerojmë shërbimet për qytetarët.’’

Pas sëmundjeve kardiovaskulare, kanceri është është sëmundja e dytë që shkakton më shumë vdekje në Shqipëri.

SHKARKO APP