Dita e Europës/ Duka: Integrimi përdoret për luftë të brendshme partiake. Boll jemi vetë-vonuar
“Boll e kemi përdorur integrimin në BE për luftë të brendshme partiake”, kështu shpehet kreu i PAA-së, Agron Duka me rastin e Ditës së Europës. Thirrja e tij shkon për politikën në vend, është që të marrë vizionin që Europa ndërtohet nëpërmjet solidaritetit midis vendeve anëtare, solidaritet që duhet të krijohet nga sukseset.
Mesazhi i plotë
Boll jemi vetë-vonuar! Boll e kemi përdorur integrimin në BE për luftë të brendshme partiake. Ky prioritet strategjik i kombit shqiptar nuk i përket vetëm një individi apo partie dhe atë nuk mund ta përmbushë vetëm një individ apo parti.
Në fjalimin e tij historik një prej baballarëve themelues të BE-së, ish ministri i jashtëm francez Robert Schuman qartësoi në 9 Maj 1950 se Europa e Bashkuar nuk do të ndërtohet menjëherë, as sipas një plani të vetëm.
Ajo do të ndërtohet nëpërmjet solidaritetit midis vendeve anëtare, solidaritet që duhet të krijohet nga sukseset.
Për këtë vizion ka nevojë sot më shumë se kurrë edhe politika shqiptare.
Gëzuar ditën e Europës së Bashkuar, këtij projekti vizionar dhe të suksesshëm që largoi konfliktet dhe luftrat dhe prodhoi paqe dhe mirëqenie mbi gërmadhat e nacionalizmave të sëmurë.