Dita e Europës, politika në vend shprehet optimiste për Integrimin në BE

71 vjetori i themelimit të Unionit Evropian u kujtua nga drejtues të politikës shqiptare, por edhe ambasadori i BE-së në Tiranë. “Është koha të ndihmojmë qytetarët tanë dhe Shqipërinë të çlirohet nga çdo formë e regjimeve hibride, për të ecur më shpejt, pa pengesa artificiale, drejt çeljes së negociatave dhe anëtarësimit në Bashkimin Europian”, ky është mesazhi që përcjell Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta në kuadër të Ditës së Europës. Nga ana tjetër, kreu i shtetit thekson se Shqipëria do të bëhet si Europa, kur të gjithë përfaqësuesit e partive politike të mendojnë dhe të veprojnë për t’i dhënë forcë zërit të rinisë.

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka shprehet se Shqipëria është pranë hapjes së negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Kryeministri Edi Rama e ka kujtuar këtë ditë me një video të publikuar në faqen e tij zyrtare në “Facebook”. Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca ka theksuar rëndësinë e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, duke theksuar se Shqipëria është shumë pranë mbajtjes konferencës ndërqeveritare.

Në një mesazh të tij, kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka shprehur besimin për anëtarësimin sa më të shpejtë të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, duke thënë se nuk do të jetë e largët dita kur kufijtë e Europës politike dhe Europës kulturore do të jenë një dhe do të afrohen me kufijtë natyrorë të saj.

Ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha në mesazhin e saj për Ditën e Europës, thotë se kemi 7 vite që presim për çeljen e negociatave dhe se askush nuk e di sesi do të jetë e ardhmja. “Ka ardhur koha e një reflektimi nga politika për të marrë më shumë përgjegjësi, e jo për të mashtruar vetveten”,-shkruan Gjosha.

SHKARKO APP