“Dita e fëmijëve në Kuvendin e Shqipërisë”
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, 1 qershorit, Kuvendi i Shqipërisë nëpërmjet grupit të deputetëve “Miqtë e Fëmijëve” zhvilloi në mjediset e sallës së Kuvendit të Shqipërisë aktivitetin “Dita e fëmijëve në Kuvendin e Shqipërisë”. Në aktivitet morën pjesë Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, zëvendëskryetarja e Kuvendit, znj. Vasilika Hysi, ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, znj. Lindita Nikolla, ministrja e Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë dhe pjesëtarë të grupit “Miqtë e Fëmijëve”, përfaqësues të “Save the Children”, Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e Fëmijëve, të Avokatit të Popullit dhe Agjencisë Suedeze për Zhvillim e Bashkëpunim Ndërkombëtar, përfaqësues nga institucione të ndryshme të vendit dhe organizatave të shoqërisë civile, që në qendër të veprimtarisë së tyre kanë fëmijët dhe përfaqësues të trupit diplomatik.
Në aktivitetin e zhvilluar në Kuvendin e Shqipërisë u prezantua grupi i fëmijëve “Zëri 16+…”, përfaqësues të të cilit prezantuan gjetjet dhe rekomandimet e raportit “Zëri i të Rinjve 2017, Shqipëri”, realizuar përmes Agjencisë Suedeze për Zhvillim e Bashkëpunim Ndërmbëtar nga organizata “Save the Children”, me bashkëpunimin e Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve dhe Avokatit të Popullit.
Në raportin e paraqitur, fëmijët u përqëndruan te nevoja për pjesëmarrje të fëmijëve në të gjitha nivelet e qeverisjes, për më tepër llogari institucionale në raport me përmbushjen e të drejtave të fëmijëve, për një qasje të re sa i takon rolit të shkollës, familjes dhe qeverisë vendore në komunitet. Fëmijët e vunë theksin te reagimi i shërbimeve publike, duke kërkuar që institucionet qeveritare në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe të shoqërisë të mbajnë përgjegjësi për zbatimin e të drejtave të fëmijëve.
Z. Gramoz Ruçi, Kryetari i Kuvendit dhe kryetar i grupit të deputetëve “Miqtë e fëmijëve”, pas prezantimit të raportit nga të rinjtë e “Zëri 16+…”, mbajti një fjalë përshëndetëse për aktivitetin. Kryetari i Kuvendit, pasi uroi fëmijët për Ditën e tyre Ndërkombëtare, në hyrje të fjalimit të tij e veçoi detyrën e kryetarit të grupit të deputëve “Miqtë e fëmijëve” nga përgjegjësitë e tij të tjera, duke u shprehur që: “më e nderuara detyrë që kryej si përfaqësues i popullit dhe Kryetar i Kuvendit, është misioni im si Kryetar i Grupit të Deputetëve “Miqtë e Fëmijëve””
Z. Ruçi, lidhur me rekomandimet e dala nga raporti që fëmijët lexuan, i cilësoi mesazhet e nxjerra si të drejta e mjaft të gjetura. “Nuk ka konventë dhe kushtetutë në botë që të japë rekomandime, të formulojë detyrime më të mira e më të drejta sesa mesazhet tuaja. Ju jeni burimi më i drejtpërdrejtë, më gjithëpërfshirës dhe më mobilizues i së drejtës, për çdo ligj që ne hartojmë, për çdo vendim që marrim dhe për çdo program që zbatojmë. Ju jeni Qeveria, Presidenti dhe Kuvendi i vërtetë i këtij vendi”, – u shpreh Kryetari i Kuvendit.
Z. Gramoz Ruçi apeloi në fjalën e tij, që asnjë fëmijë të mos mbetet prapa të tjerëve për shkak të dallimeve ekonomike dhe garantoi përpjekjet maksimale të institucioneve për ta siguruar këtë. “Dëshiroj tju garantoj se do të bëj të gjitha përpjekjet që Kuvendi i Shqipërisë të hartojë ligje sa më të mira për arsimimin, që ju, fëmijët tanë, të fitoni shkollim dhe edukim cilësor, të krahasueshëm me moshatarët tuaj europianë. Ligje për shërbime sociale e publike cilësore, të cilat u përgjigjen, në rradhë të parë nevojave tuaja, dhe zbatojnë rekomandimet tuaja. Që askush nga ju të mos mbetet prapa shoqeve e shokëve, nga që prindët i ka të varfër, të pamundur, nevojtarë apo pa arsimin e duhur”, – ishin fjalët e Kryetarit të Kuvendit,Gramoz Ruçi
Fjala e plotë e Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi:
Të dashur fëmijë,
Ju përqafoj të gjithëve që na nderuat dhe na zbukuruat këtë sallë. Por edhe na vutë me shpatulla për muri dhe mirë bëtë.
Ne kemi nevojë për buzëqeshjet dhe mirësinë tuaj, po aq sa kemi nevojë edhe për kritikat tuaja të sinqerta.
Dëshiroj t’ju them që në fillim se më e nderuara detyrë që kryej si përfaqësues i popullit dhe Kryetar i Kuvendit, është misioni im si Kryetar i Grupit të Deputetëve “Miqtë e Fëmijëve”.
Unë i dëgjova me vëmendje vërejtjet dhe rekomandimet që ju bëtë në prezantimin e gjetjeve të raportit “Zëri i të Rinjve të Shqipërisë për vitin 2017”.
Zakonisht, ne nuk na vjen mirë kur na kritikojnë, por jua them sinqerisht që u ndjeva shumë mirë që i dëgjova këto kritika me zërin dhe çiltërsinë tuaj.
Nuk ka konventë dhe kushtetutë në botë që të japë rekomandime, të formulojë detyrime më të mira e më të drejta sesa mesazhet tuaja.
Ju jeni burimi më i drejtpërdrejtë, më gjithëpërfshirës dhe më mobilizues i së drejtës, për çdo ligj që ne hartojmë, për çdo vendim që marrim dhe për çdo program që zbatojmë.
Ju jeni Qeveria, Presidenti dhe Kuvendi i vërtetë i këtij vendi.
Bashkë me ju përshëndes të gjithë prindët shqiptarë, për dashurinë që ju japin dhe për sakrificat që bëjnë që ju të rriteni të shëndetshëm dhe të patrazuar nga vështirësitë që shkaktojnë në jetën tuaj varfëria dhe sëmundjet e shoqërisë.
Ju kërkoj ndjesë, të dashura nëna e baballarë, që disa herë, në vend që tua lehtësojmë, ua vështirësojmë jetën, kur në vend që të bëjmë ligje më të mira për të gjithë, gjuajmë njeri-tjetrin nga llogoret e politikës.
Përshëndes mësueset dhe mësuesit tuaj fisnikë, që megjithë vështirësitë e jetës, i përkushtohen me pasion misionit të tyre të shenjtë.
Ndjesë, të dashura mësuese e mësues, që edhe pse i jemi përkushtuar shkollës, arsimit dhe edukimit me ligje më të mira e financime më të mëdha, kemi ende shumë për të bërë për tju ndihmuar në misionin tuaj.
Dëshiroj t’ju garantoj se do të bëj të gjitha përpjekjet që Kuvendi i Shqipërisë të hartojë ligje sa më të mira për arsimimin, që ju, fëmijët tanë, të fitoni shkollim dhe edukim cilësor, të krahasueshëm me moshatarët tuaj europianë.
Ligje për shërbime sociale e publike cilësore, të cilat u përgjigjen, në rradhë të parë nevojave tuaja, dhe zbatojnë rekomandimet tuaja.
Që askush nga ju të mos mbetet prapa shoqeve e shokëve, nga që prindët i ka të varfër, të pamundur, nevojtarë apo pa arsimin e duhur.
Përgëzoj organizatën “Save the Children”, Agjencinë Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve dhe Avokatin e Popullit për kryerjen e këtij studimi, prej nga burojnë rekomandimet që ju paraqitët sot në Kuvend.
Falenderoj Agjencinë Suedeze për Zhvillim e Bashkëpunim Ndërkombëtar, që mundësoi realizimin e këtij studimi.
Faleminderit edhe njëherë që ishit sot me ne, që na frymëzoni, na lumturoni e na zbukuroni jetën!
Ju dua dhe ju përqafoj të gjithëve!
KOHA JONË SONDAZH

