Dita e Pemëve/Klosi apel shkollave, gjimnazi i Tiranës “i përgjigjet” me parcelën në Divjakë
Pikërisht në ditën kur ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi theksonte se zonat e mbrojtura duhet të jenë laboratorët natyrorë të shkollave dhe se në Ditët e Pemëve, çdo shkollë mund të gjejë një hapësirë të sajën në një zonë të mbrojtur, gjimnazistët e ”Qemal Stafës”, konkretizuan me veprime, kuptimin dhe qëllimin e këtij mesazhi.
150 fidanë pishe u mbollën nga 40 nxënës, bashkë me mësueset e tyre dhe stafin e Parkut Kombëtar Divjak-Karavasta duke shënuar kështu edhe parcelën e parë të një gjimnazi që tashmë mban emrin “Qemal Stafa”. Të rinjtë jo vetëm mbollën por lanë mesazhet e tyre, si një proverb indian që në pak fjalë mund të përmbledhë pasojën e lakmisë njerëzore.
”Kur cdo gjë e natyrës të ketë mbaruar, njerëzit do të kuptojnë se ari nuk është i ngrënshëm”. Apo edhe shprehje si kjo: “Pas dhjetë vitesh dikush do të ulet në hijen e kësaj peme”. Apele të thjeshta, në fidanë të njomë dhe fare të vegjël. Të rinjtë kanë gjetur mënyrën për të shprehur veten dhe jo vetëm për mjedisin. Dikush shkruan mesazhin e tij për librin “Sot një lexues, nesër një lider” apo një shprehje inkurajuese për limitet e vetes. E kështu me radhë, fidan pas fidani mund të krijosh një ide të asaj që “zien” në mendjet e gjimnazistëve. Pasi mbaron së kundruari një për një pusullat, sheh sërish fidanët dhe punën e mirë që kanë bërë.
Të rinjtë i janë bashkuar fushatës së mbjelljeve #krijoO2tënd duke vijuar edhe një traditë përkujdesi ndaj mjedisit që ky gjimnaz tashmë e mbart në historinë e tij të re dhe të vjetër. Pak ditë më parë kishin mbjellë fidanët në Parkun e liqenit Artificial së bashku me kryetarin e bashkisë të Tiranës. Kontribuan për qytetin ku jetojnë. Tani japin gjelbërim dhe “marrin” kënaqësinë e natyrës në një nga lagunat më të famshme të vendit.
Njohuritë për lagunën e Karavastasë dhe një shëtitje në bukuritë që ofron natyra ishin njëherësh një orë mjedisore dhe argëtuese për të rinjtë. Ata panë nga afër dy pelikanët kacurrelë, qendrën e vizitorëve dhe në kullën e vrojtimit, shquan me teleskop ishullin e pelikanëve. Xheni, mësuesja e biologjisë tregon se nxënësit kanë mësuar shumë përveç se kanë mbjellë fidanë: “Një përvojë e re dhe besoj ka lënë mbresa te nxënësit. Nisma të tilla duhen bërë më të shpeshta. ”Hera ime e parë këtu. Dhe të them të drejtën vetëm kisha dëgjuar diçka- thotë një nga nxënëset- dhe me kaq sa pashë them se do të kthehem përsëri.”
Drejtori i parkut, Ardian Koçi, thotë se mbjelljet e kryera nga nxënësit kanë një rëndësi të veçantë sepse ato janë edukim dhe praktikë në terren. ”E shoh sesi ndryshojnë, sidomos të rinjtë, kur mbjellin fidanë. Lidhen shpirtërisht me to dhe kur largohen nuk harrojnë të lënë porosi që t’u ruash fidanët që kanë mbjellë. Vetëm kaq pak mjafton për të ndezur dashurinë për mjedisin. Një fidan është shkëndija e parë”,-thotë Koçi, në profesion veteriner, që prej 6 vitesh e ka lidhur jo vetëm profesionin por edhe jetën e tij me parkun.
Tashmë gjimnazi “Qemal Stafa” ka parcelën e vet në Divjakë-Karavasta. Ashtu si aspiron me mesazhin e tij, ministri Klosi në prag të Ditëve të Pemëve. Është pikërisht ky sipas tij, “momenti i parë” i një tradite që duhet të flasë patjetër edhe shqip. Gjimnazi më i vjetër i Tiranës, tashmë e ka kapur në ajër “momentin e parë”. I mbetet vetëm të vazhdojë kontributin e tij për krijimin e kësaj tradite pyllëzimi. Premtimin e jep drejtoresha e shkollës, Nina Guga. ”Do të vijmë sërish të shtojmë fidanë të rinj dhe të shohim sesa do të jenë rritur këto që kemi mbjellë”,-thotë ajo.
KOHA JONË SONDAZH

