Dita e punëtorëve, protestë për paga dhe kushte më të mira
“1 maji” nuk ka qenë veç një ditë pushimi zyrtar. Si rrallë herë sindikatat e profesioneve të ndryshme janë bërë bashkë duke rikthyer simbolikën e vërtetë të Ditës së Punëtorëve, protestat për kushte dhe paga më të mira.
Mësuesit ishin të parët që u bënë bashkë në marshimin drejt ministrisë që i përfaqëson. Kishin ardhur nga rrethe të ndryshme të vendit, por me të njëjtat kërkesa dhe shqetësime. Edhe pse dyert e ministrisë ishin të mbyllura nga pushimi zyrtar, drejtues të sindikatës artikuluan edhe njëherë problemet e mësuesve dhe premtimet e pambajtura ndaj tyre.
Vetë mësuesit tregojnë se sa të pavlerësuar ndihen sot nga shteti dhe qeveria. Pagat e tyre i cilësojnë qesharake aq sa jo pak herë ato bëhen objekt humori nga nxënësit e tyre. Mësuesia është një nga profesionet më të padëshiruara nga të rinjtë e sotëm.
Pas mësuesve ishin sindikatat e minatorëve, taksisteve, punonjësve të shëndetësisë të cilët protestuan para kryeministrisë. Mjekët frenimin e eksodit të profesionistëve të shëndetësisë përmes politikave mbështetëse dhe kushteve të mira në pune. Referuar sindikatave, eksodi i viteve të fundit ka prekur më së shumti punonjësit e shëndetësisë, por ka filluar të ndihet edhe në radhët e mësuesve dhe profesioneve të tjera.