Dita e Ujit të Bekuar, besimtarët e krishterë kapin kryqin

Besimtarët ortodoksë dhe katolikë, kudo në botë, festojnë sot ditën e Ujit të Bekuar, që njihet si dita e bekimit të Zotit.
Me rastin e kësaj dite, organizohen mesha, të cilat shoqërohen me lutje të ndryshme, me bekimin e ujit dhe marrjen e këtij uji nga besimtarët.
Në Korçë, Vlorë, Sarandë, Gjirokastër, Fier, Berat, Elbasan, Durrës dhe në shumë qytete të tjera të vendit mbahet ceremonia e hedhjes së kryqit në ujë nga një klerik.
Besimtarët më pas nxitojnë për të nxjerrë kryqin nga uji i cili hidhet në lumenj apo liqene. Sipas ritit, për të marrë kryqin duhet të futen në ujë të rinj meshkuj dhe ai që e merr i pari konsiderohet i bekuar dhe me mbarësi për këtë vit.
Në lidhje me këtë festë ka lindur shumë kohë më parë, në disa vise të Italisë, edhe legjenda e Befanës. Që atëherë kjo festë, është bërë e rëndësishme dhe e shumëpritur nga fëmijët.
Befana përfaqëson një plakë të shëmtuar, e cila tremb fëmijët me pamjen e saj, por në të njëjtën kohë ajo është edhe zemërmirë, sepse i jep atyre dhurata.
Kjo ditë filloi të kremtohej në Shqipëri vetëm pas viteve ’90-të. Për shumë vite gjatë sistemit komunist ajo konsiderohej një festë e ndaluar.

– 6 janari sipas Biblës –

Sipas Biblës në këtë datë kremtohet pagëzimi i Jezu Krishtit në ujërat e lumit Jordan nga Gjon Pagëzori. Tradita e pagëzimit është një rit fetar, i cili ndiqet si nga besimi ortodoks ashtu edhe nga ai katolik, për të konvertuar në këtë mënyrë një person në besimtar dhe ndjekës të besimit fetar përkatës. “Epifania” ose hedhja e kryqit në ujë bazohet te kjo domethënie fetare.
Në besimin ortodoks e kryesisht në kishat e lindjes “Dita e Pagëzimit të Zotit Jezu Krisht” shënon edhe fillimin e misionit të tij shpëtimtar. Krishti nuk kishte nevojë të pagëzohej, por ky akt tregon se ne duhet të ecim në rrugën që ai vetë e filloi.
Ndërkohë në besimin katolik përveç këtyre simbolikave kësaj dite i është bashkangjitur edhe figura e Befanës, e cila personifikohet nga një plakë e vjetër zemërmirë që shpërndan dhurata për fëmijët në mbrëmjen e 5 janarit duke gdhirë data 6 janar, duke u krahasuar kështu me babagjyshin e Vitit të Ri, por në version femëror. Karakteri i saj mund të ketë origjinën nga pjesa qendrore të Italisë pastaj u përhap si një traditë për pjesën tjetër të këtij shteti. Një bestytni popullore është që emri i saj vjen nga festa e Epifanisë (Uji i Bekuar).

-Legjenda e Befanës-

Për Befanën filloi të flitej në vitin 1200. Në traditën kristiane kjo ditë përkujton vizitën që tre dijetarët i bënë Jezu Krishtit fëmijë. Befana, që në ikonografinë popullore përfaqëson një plakë të shëmtuar, vendos të shkojë pas tre dijetarëve për të takuar Birin e Zotit.
Rrugës për në Betlehem, duke fluturuar mbi një fshesë, ajo ndalet shtëpi më shtëpi për t’i dhuruar fëmijëve dhurata të ndryshme me shpresën se ndonjëri prej tyre ishte Jezu Krishti. Por ajo nuk e pa asnjëherë Birin e Zotit. Që në atë kohë, duke fluturuar mbi një fshesë, ajo i shpërndan fëmijëve dhuratat, që nuk ia dha dot Jezu Krishtit të vogël.
Që në kohën e lindjes së kësaj legjende të vegjëlit i besonin shumë asaj. Befana pritej në të gjitha shtëpitë duke varur pranë oxhakut një çorap në të cilin fëmijët gjenin dhurata të lëna nga ajo. Në këtë ditë nuk përgatiteshin pjata të veçanta, por disa familje mblidheshin për të ngrënë gështenja ose arra. Për këtë rast në disa vende i ofrohej ndihmë familjeve më nevojtare, duke i dhënë bukë, sheqer, etj.

SHKARKO APP