Dita Ndërkombëtare e Gruas Rurale, ministrja Denaj: Të shërbejë si thirrje për fuqizimin e saj

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj zhvilloi një takim me gratë rurale dhe agropërpunuese, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas Rurale, për të diskutuar mbi sfidat dhe prioritetet e grave dhe vajzave në zonat rurale si dhe veprimet që duhet të ndërmerren për të përmirësuar mirëqenien e tyre, në veçanti rolin e grave në zinxhirët e vlerës në sektorin agro-ushqimor.

Ato u bashkuan në Tiranë duke ekspozuar produktet e tyre. Gjatë bashkëbisedimit me to, Denaj tha se kjo ditë duhet të shërbejë si një thirrje për të bashkëpunuar në rritje të produktivitetit, e për të kthyer traditën në zhvillim. Sipas saj, fuqizimi i potencialit të gruas në komunitetet rurale dhe hapja e mundësive të reja me financime apo mbështetje, sjell një zhvillim të qëndrueshëm social ekonomik të tyre.

“Të gjitha këto janë pjesë e një dashurie dhe një pune të hollë që ka gruan nga pas. Dhe pavarësisht sa e vështirë është, ja ka dalë. Dua të vendos në fokus promovimin e gruas, jo vetëm si grua, por edhe si ministre e Bujqësisë. Në këtë fushë, besoj se forca e gruas është po aq e madhe sa e burrit. Madje, në disa raste e nënvlerësuar, sepse në sipërmarrje po të shikojmë statistikat vetëm 25 % janë të drejtuara nga gratë“, u shpreh ministrja Denaj, teksa vizitoi tryezat me produktet e tyre.

15 tetori shënohet Dita Botërore e Gruas Rurale, e cila synon njohjen e kontributit dhe rolit që gratë nga zonat rurale kanë në komunitet, duke përmirësuar jetën dhe mirëqenien në tërësi. Dita Botërore e Gruas Rurale u caktua në vitin 1995 nga organizatat e shoqërisë civile në konferencën e katërt botërore për gratë në Pekin dhe u shpall ditë zyrtare në vitin 2007 nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së.

SHKARKO APP