Dita Ndërkombëtare e Infermierëve, Veliaj: Do të jenë gjithmonë heronjtë tanë

Në këto ditë të vështira, kur e gjithë bota përballet me armikun e padukshëm COVID-19, një mirënjohje e pafundme shkon për infermierët, heronjtë që po përballen në vijën e parë të frontit me virusin. Në Ditën Ndërkombëtare të Infermierit, Bashkia e Tiranës organizoi një ekspozitë fotografish, me historikun e ngritjes së këtij shërbimi në vendin tonë, ndërsa kryebashkiaku Erion Veliaj i dhuroi një buqetë me lule Dhurata Osmanllarit, infermierja që sot mbushi 50 vjeç, në shenjë mirënjohje për punën e saj në mbrojtje të jetëve njerëzore.

“I uroj të gjithë infermierëve, mamive, atyre që ndihmojnë në vijën e parë të frontit, gëzuar! Është 200-vjetori i infermierëve. Duam t’i urojmë edhe Dhuratës sonë gëzuar 50-vjetorin! Shpresoj shumë që duke vendosur në qendër të Tiranës infermierët dhe duke bërë këtë ekspozitë të hapur, që i gjithë qyteti ta shijojë në orët e lejuara të daljes, të kujtohemi që këta infermierë, që ishin sot heronjtë tanë, të jenë heronjtë tanë edhe nesër”, tha ai.

Veliaj nënvizoi se kjo situatë pandemie do të kalojë, por puna dhe sakrificat e të gjithë personelit mjekësor, që përballet me sfida të vazhdueshme, meritojnë të vlerësohen gjithmonë.

“Nesër ndoshta s’do kemi pandeminë, por do të na presin sfida të tjera. Në ditë normale kemi njerëz që aksidentohen, që sëmuren, që infektohen, por është shumë e rëndësishme të kuptojmë se balancat e shoqërisë sonë janë kur respektohet çdo profesion. Të respektojmë arkitektët dhe inxhinierët kur bie tërmet, infermierët dhe mjekët kur ka pandemi, apo ata që menaxhojnë qytetin, si policët, zjarrfikësit, që duken si punë rutinë, por pa të cilat nuk do e kishim një jetë normale. Jam shumë krenar për të gjithë infermierët, 22 mijë gocat dhe çunat që shërbejnë çdo ditë, i mbështesim tani dhe gjithmonë”, theksoi kreu i Bashkisë.

Dhurata Osmanllari falenderoi mes emocionesh kryebashkiakun Veliaj për surprizën e këndshme dhe theksoi se ky vlerësim shkon për gjithë kolegët e koleget e saj infermiere në të gjithë vendin. “Faleminderit kryetar, që bëtë të mundur ardhjen time këtu sot, faleminderit edhe ju zonja Presidente e Urdhrit të Infermierit; falenderoj drejtorinë e QSUT-së, i gjithë ky emocion dhe kënaqësi shkon për të gjithë infermierët e Shqipërisë”, tha ajo.

Presidentja e Urdhrit të Infermierit, Blerina Duka deklaroi se në këto ditë pandemie i gjithë personeli mjekësor po kontribuon me vetëmohim. Viti 2020 është përcaktuar edhe si “Viti i infermierëve” nga OBSH-ja, për të vlerësuar sakrificën e këtij profesioni sa jetik, aq edhe human.

SHKARKO APP