Ditëlindja e Enver Hoxhës, Patozi: Edhe sot, udhëheqësit e partisë dhe të popullit i largon veç vdekja nga pushteti
Në ditën e lindjes së ish-diktatorit Enver Hoxha, kreu i Partisë Bindja Demokratike Astrit Patozi, ka publikuar në rrjetet sociale një foto të 4 burrave pranë varrit të ish-diktatorit, duke e nderuar.
“Kanë mbetur shumë pak në këtë vend që i merr malli për ty”, shkruan ish deputeti demokrat, por thekson se ndërsa shumë gjëra kanë ndryshuar këto vite në vend, “vetëm një gjë ka mbetur siç ka qenë: udhëheqësit e partisë dhe të popullit i largon veç vdekja nga pushteti, megjithëse ti nuk e kishe lënë amanet”, -shkruan Patozi ndër të tjera, në postimin e tij në facebook.
POSTIMI I PLOTE
FLI I QETË, O KOMANDANT!
Eh mor komandant, si vajti kjo punë! Kanë mbetur shumë pak në këtë vend që i merr malli për ty. Dhe akoma më pak nga ata, që të vijnë tek varri për ditëlindje.
Kanë ndryshuar shumë gjëra në Shqipëri këto vite, gati gjithçka. Vetëm një gjë ka mbetur siç ka qenë: udhëheqësit e partisë dhe të popullit i largon veç vdekja nga pushteti, megjithëse ti nuk e kishe lënë amanet.
Dhe ruhu sot, se mund te hash ndonjë dekoratë qorre, si ditë me qokë që është.