Ditmir Bushati dhe Bujar Osmani: Roli shtetformues i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, roli i tyre shtetformues, sfidat e fqinjit tonë dhe forcimi i trekëndëshit Tiranë-Prishtinë-Shkup, janë disa nga temat për të cilët Ditmir Bushati ka diskutuar me Bujar Osmanin në podacastin e radhës. Osmani është Ministër i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, shqiptari i parë që drejton këtë institucion dhe gjithashtu është kryetar i radhës i OSBE.

Përfaqësimi në rritje dhe kontributi shtetformues i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut

Bushati dhe Osmani diksutuan mbi përfaqësimin në rritje dhe kontributin shtetformues të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Sipas Ministrit Osmani, “Maqedonia e Veriut në këto 20 vitet e fundit, pas Marrëveshjes së Ohrit, është transformuar nga një shoqëri e ndarë në të cilin komunitetet jetonin jetë paralele”. Por, ndërsa sot në qeverinë maqedonase, përpos kreut të diplomacisë, kemi një ministër financash dhe kryetarin e parlamentit shqiptar, duket se ende nuk mund të flasim se kemi arritur në pikën e moskthimit pas. “… ky proces është më shumë nga lart-poshtë. Po të ishte nga poshtë-lart do ishte krijuar mirëbesimi te njerëzit, toleranca, eliminimi i paragjykimeve për fenomene të tilla, por unë mendoj që është i imponuar nga lart me marrëveshje ndërkombëtare, me marrëveshje politike dhe duhet kohë deri sa të preken të gjitha shtresat e shoqërisë”, pohon Osmani.

Sfidat e bashkëjetesës ndëretnike dhe raporti me fqinjët

Një tjetër cështje e rëndësishme për të cilën u ndalën dy bashkëbiseduesit ka të bëjë me sfidat e bashkëjetesës ndëretnike dhe raporti me fqinjët. Ai shton se në cilësinë e Ministrit të Jashtëm i është dashur që të menaxhoj një temë e cila është puro etnike e komunitetit maqedonas, por me implikime shtetërore, që përcakton të ardhmen euro-atlantike të vendit. “Ajo ishte çështja me Bullgarinë, rreth gjuhës, rreth historisë, çështja e të drejtave të komunitetit bullgar. Ishte vërtetë e vështirë që një ministër shqiptar të menaxhonte një proces, i cili shihej si proces etnik. Kështu që duhej krijuar mirëbesimi tek komuniteti maqedonas, të ruhej mirëbesimi e kredibiliteti te komuniteti shqiptar” nënvizon ai.

Si mund të forcohet trekëndëshi Tiranë-Prishtinë-Shkup?

“Si shqiptar, mendoj që po jetojmë pesë minutat më të mira të historisë tonë kombëtare, të faktorizimit të plotë ndërkombëtar dhe rajonal dhe kujtoj që nëpërmjet bashkëpunimit, nëpërmjet ngritjes ekonomike, arsimore, përfaqësimit ndërkombëtar, ky pozicion do të jetë edhe më i fuqishëm por krejt kjo, përsëri, në interes të pajtimit të përgjithshëm në rajon” beson Osmani. Ndërsa, në raport me dialogun Kosovë-Serbi, ai thotë se Maqedonia e Veriut po luan një rol shumë konstruktiv. Pozicioni i Maqedonisë së Veriut për sa i takon Kosovës dhe dialogut me Serbinë është se: “mbështesim këtë dialog për të arritur marrëveshje gjithëpërfshirëse që në qendër ka njohjen e ndërsjellë ndërmjet të dyja shteteve”, e kjo konsiderohet një ngritje mjaft cilësore e pozicionit të MV-së, nga qëndrimi i mëparshëm tërësisht formal.

Sfidat e shqiptarëve në shekullin e 21

Bushati dhe Osmani ndanë bindjen se sfidat janë të shumta që nga çështja e demografisë, migrimit deri të sfidat e ideologjive të ndryshme, të cilat kanë ndikimin e vet jo pozitiv. Osmani sjell në vëmendje dhe ndikimet e mundshme malinje ndaj të cilave duhet të jemi të kujdeshshëm, gjithsesi ai shton se populli shqiptar në rajon është më rezistues sa i takon ndikimit rus.

SHKARKO APP