Ditmir Bushati kundër Ramës: Pasuria është në duar të oligarkëve. Në PS ka ekzekutorë të financave publike
Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, në një komunikim online me qytetarët, ka komentuar fushatën elektorale dhe zhvillimet e fundit në vend. Kritikat e ish-ministrit janë drejtuar nga Edi Rama për situatën ekonomike në vend dhe keqpërdorimin e të dhënave personale të qytetarëve.
Lidhur me debatin për taksën ish-ministri tha se ai është fals dhe problemi kryesor që ka sot ekonomia e vendit është përqendrimi i saj në duar të pak njerëzve.
“Sot dëgjojmë një debat në lidhje taksimin, për mua është debat fals se kryesore janë themelet e shtëpisë sonë dhe më pas mund të mendojmë edhe për dritaren dhe çatinë. Ne kemi nevojë për ide të reja për ekonominë për të respektuar parimet kryesore të ekonomisë së tregut dhe mos e përqendruar pasurinë dhe pushtetin në një grusht njerëzish, për të çliruar garën në ekonomi, për të çliruar garën në administratë publike. Mendoj që një pjesëmarrje në zgjedhje të 25 prillit është një garanci për një qeverisje me demokratike pas 25 prillit. Partitë politike kanë në lista kandidatë me integritet dhe është e mundur për të bërë një zgjedhje dinjitoze, e nevojshme për të fuqizuar zërin qytetar që nuk mbaron në 25 prill”,- tha Bushati.
Ish-ministri tha se sot në listat e PS ka njerëz që kanë abuzuar me financat publike të vendit. “Unë do vijoj të bëj thirrje për respektimin e disa standardeve, për integritetin e tyre moral, profesional, dhe jo për të strehuar në listën e PS ato që i konsideroj ekzekutorët e gjakderdhjes financiare të këtij vendi. Mendoj se përmes vetëkorrigjimit PS do të ishte dhe do të jetë edhe më e fortë”, tha ish-ministri Bushati.
Ditmir Bushati thekson se është shqetësues fakti i përdorimit të të dhënave personale. Sipas tij, duhet të ketë një hetim administrativ për të zbardhur se cili nga zyrtarët mund t’i kenë nxjerrë këto të dhëna.
“Ka një debat të madh, mirëpo do preferoj që të gjithë të ishim të shqetësuar. Më vjen keq që nuk ka nisur asnjë hetim administrativ. Nuk di të jetë zhvilluar një mbledhje e sigurisë kombëtare për këtë çështje dhe besoj se duhet të ishte shqetësimi numër 1 për qeverinë dhe çdo zyrtar të shtetit shqiptar. Së treti, reformist në metodë. Është një çështje që ka impakt mbi ekonominë. Në rast se Luftansa do të vendosë zyrat e saj në Shqipëri do të transferoj edhe të dhënat e punonjësve të saj. Pra, mungesa e mekanizmave mbrojtës mund të penalizojë edhe mundësinë që një vend të thith investime të huaja. Kur unë kam vizituar Izraelin, më tha kryeministri izraelit sa inxhinierë keni. Tha biznezi i të dhënave është biznesi më fitimprurës në botë. Lufta nuk bëhet më me armë. Dhe ne jemi një vend anëtar i NATO-s nuk mund të mohojmë një shqetësim. Të gjithë ata që mbledhin të dhënat duhet të pezullohen deri në përfundim të hetimit dhe në fund drejtësia duhet të thotë fjalën e vet. Drejtësia nuk mund të përdoret si justifikim për të mos iu përgjigjur një shqetësimi të tillë publik. Edhe unë kam pasur të dhëna, por jo ato personale, sepse çdo parti bën listën që mendon se i ka votues”,- tha Ditmir Bushati.