“Djali i vogël s’e kupton që duhet të më rrijë larg”, flet infermieri i reanimacionit në Infektiv: Pacientët kërkojnë familjarët e tyre, 90% e rasteve…

Infermieri Saimir Hita, është pjesë e ekipit të reanimacionit në spitalin Infektiv, dhe që prej një muaji u shërben pacientëve pranë spitalit Infektiv, të prekur me Covid 19.

Hita shprehet se me kalimin e ditëve, situata është normalizuar, edhe psikologjikisht, ndërsa të gjithë po mësohen që të bashkëjetojnë me sëmundjen.

Ai tregon për vështirësitë që ka në shtëpi, ku djali i vogël, nuk e kupton se pse i ati duhet të qendrojë i distancuar nga pjesa tjetër e familjes.

“Marrim në dorëzim pacientët që do të trajtojmë me veshjen dhe me protokollin fiks, mundohemi që dhe zhveshja të jetë në mënyrën sa më korrekte. Për momentin vazhdojmë që të punojmë me turne nga 8 orë, nuk ka pasur nevojë që të shtojmë oraret.

Në momentet e para frika ka qenë e madhe, i hiqja rrobat që jashtë shtëpisë, dhe përpiqesha që të ruaja distancën, por tashmë është bërë rutinë. Më duhej që të qendroja larg dhe nga djali im, por që ai nuk e kuptonte pasi ishte shumë i vogël, por tashmë po bashkëjetojmë me këtë virus”, shprehet Hita.

Kryeinfermieri tregon më tej se 90% e rasteve që mbërrijnë në reanimacion janë të rënda, dhe shpesh pacientët kërkojnë që të kenë komunikim me familjarët e tyre, edhe pse e dinë që kjo është e pamundur.

“Ne brenda në reanimacion jemi ekip, së bashku me mjekët dhe me reanimatorët, ka pasur shumë prej pacientëve që kanë lënë gjurmë te ne, ka pasur edhe njerëz që kanë humbur jetën. Ndihem mirë nga ana psikologjike, që të paktën nuk kam qenë në momentet e fundit të tyre, pasi shumë prej kolegeve të mija janë psikiologjikisht të lënduara, janë vajza shumë kurajoze.

Pacientët i kanë kërkuar familjarët e tyre, janë përshtatur me situatën e tyre, pasi nuk kanë mundësi tjetër. Unë flas për repartin e reanimacionit, 90% e rasteve janë të rënda, me vështirësi shumë të mëdha në frymëmarrje.

Nuk e dimë si do të na shkoë halli, por nevojitet që të jemi të gjithë bashkë”, përfundoi Hita komunikimin me Fax News.

SHKARKO APP