“Djali nuk infektoi prindërit”, dhëndëri i familjes: Ishin me COVID-19 para se të vizitoheshin nga i biri
Të afërmit e çiftit të moshuarve në Mirditë kanë një variant tjetër të historisë, ndryshe nga ajo që tha kryeministri Rama se u infektuan me koronavirus nga djali i tyre.
Ata pretendojnë se janë të moshuarit ata që infektuan djalin e tyre.
Në një intervistë për Ora News dhëndëri i kësaj familje, Gjon Caka shprehet se çifti i të moshuarve kanë qenë të prekur përpara se djali të shkonte t’i vizitonte.
“Ku e dinte kryeministri se kush e kishte virusin. A e dinte ai se ndoshta e kanë pasur dy pleqtë dhe ja kanë dhënë atij. Djali sapo ka ardhur në Tiranë pas kthimit nga prindërit është sëmurur”
Ai tregon se gjendja e dy të moshuarve është stabilizuar ndërsa thekson se ata kanë mundur të marrin shërbimin e nevojshëm mjekësor pas disa ndërhyrjeve të njëpasnjëshme.
“Bisedova me Rrëshenin, nuk është e keqe për arsye të vetë moshës që kanë. Kjo punë ka vazhduar për një javë resht dhe 127 nuk i është përgjigjur. Është dashur ndërhyrja ime nga Amerika dhe kanë shkuar i kanë bërë testin”
Dhëndri i familjes i bën apel qeverisë që meqenëse të dyja palët janë të infektuara të lejojë djalin të shkojë pas prindërve pasi ata janë të vjetër dhe nuk mund ta përballojnë dot vetëm këtë situatë. Në të kundërt ai kërkon që të dy të moshuarit të shtrohen në spital që të jenë nën kujdesin e mjekëve.
“Ata duan një njeri pranë dhe unë bëj thirrje që ta lejojnë djalin të shkojë, ose ti marrin ti çojnë në spital”
/Ora News