“Dje erdhi në zarf”, Aleanca për Teatrin: Qeveria nuk ndal kërcënimet e presionet, vazhdojmë qëndresën tonë qytetare
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit akuzon qeverinë se po kërcënon të gjithë ata që po mbrojnë Teatrin Kombëtar.
Në një status në “Facebook”, Aleanca shkruan se ditën e djeshme është dorëzuar në sheshin e Teatrit një zarf që nuk ishte për Aleancën por për Ministrinë e Kulturës dhe institucionin e Teatrit Kombëtar, i cili që nga korriku 2018 ka ndërruar adresë për tek Arturbina.
Sipas Aleancës kjo është e qëllimshme, si një mesazh presioni e kërcënimi se ‘të keqen mund ta kemi në derë shpejt dhe mund të vijë me procedime penale’.
Megjithatë Aleanca deklaron se reagimi i vetëm që mund të bëjnë është të vazhdojë qëndresën qytetare duke kërkuar dhe mbështetjen e qytetarëve.
POSTIMI I PLOTË
QEVERIA NUK RESHT SË BËRI PRESION MBI TEATRIN DHE QËNDRESTARËT E TIJ
Dje në sheshin e Teatrit, në rrugë postare u bë dorëzimi i një zarfi që nuk ishte i adresuar për Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit dhe për asnjërin prej qytetarëve të përfshirë në të. Ky zarf ishte i adresuar për Ministrinë e Kulturës dhe për institucionin e Teatrit Kombëtar i cili që prej korrikut 2018 ka ndërruar zyrtarisht adresë për tek Arturbina.
Me metodën “Bjeri pragut të dëgjojë dera”, Drejtoria Vendore e Policisë na bën me dije që për aktin e marrjes së ndërtesës së Teatrit Kombëtar nga qytetarët më 24 korrik, po zhvillohet një hetim. Indirekt, na bëhet me dije që të keqen mund ta kemi në derë shpejt dhe ajo mund të vijë bashkë me procedime penale.
Reagimi i vetëm që mund të bëjmë në këto kushte, pas vënies në dijeni që ne e kuptojmë qartësisht si kërcënim e presion ndaj secilit prej nesh personalisht dhe ndaj kauzës së Teatrit në përgjithësi, është që të vazhdojmë me konseguencë qëndresën tonë qytetare dhe të mos ndalemi derisa ajo të mbyllet me shpëtimin e Teatrit Kombëtar nga plani i shkatërrimit të tij.
Për më tej, ky është vetëm një episod i ri në sagën e intimidimeve për të frikësuar aktivistë në ushtrimin e lirë të së drejtës kushtetuese për të protestuar. Ne i kemi mbledhur këto ngjarje dhe kemi filluar t’i raportojmë te përfaqësitë ndërkombëtare në Shqipëri.
Ftojmë qytetarët e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë që të na mbështesin në këtë qëndresë, edhe më fort se deri më sot. E drejta është me ne dhe vendimi i Europa Nostra për të përzgjedhur Teatrin Kombëtar në listën e 14 vendndodhjeve më të rrezikuara në Europë e konfirmon këtë plotësisht.
I bëjmë thirrje Presidentit të Republikës, Opozitës dhe pjestarëve të Partisë Socialiste që kanë dhënë vazhdimisht mbështetje për kauzën e Teatrit që të ndihmojnë në ndaljen e dorës së qeverisë që fshihet pas Policisë.
U bëjmë thirrje përfaqësuesve të ambasadave të kalojnë përmbi barrierën e ruajtjes së marrëdhënieve diplomatike. Në një vend të NATO-s e kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian nuk mund të bëhet sikur nuk shikohet që qytetarët kërcënohen me procedime penale për mbrojtjen e pronës publike e trashëgimisë kulturore dhe së shpejti, me kalimin e ligjit të ashtuquajtur “anti-shpifje” do të dënohen për shprehjen e fjalës së lirë.
Koha e diktaturës në Shqipëri ka mbaruar në vitin 1990.
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit
18 dhjetor 2019