Djegia e mandateve, Braimllari: Opozita u është përgjigjur vullnetit të qytetarëve!
Deputeti i LSI-së Endrit Braimllari në një intervistë për emisionin “7pa5” në Vizion Plus, deklaroi sot se me vendimin e saj për djegien e mandateve, Opozita u është përgjigjur vullnetit të qytetarëve!
Intervista
Një vendim unanim për djegien e mandateve, pse ky vendim ekstrem?
Erdhi në këtë moment sepse opozita në 1 vit e gjysmë i ka konsumuar të gjithë hapat institucional që kjo mazhorancë të reflektojë, me qëllim që ta fusë vendin në linjat e kushtetutshmërisë dhe ta fusë vendin në linjën e zbatimit të liigjit dhe respektit ndaj qytetarëve. Kemi një vit e gjysmë që denoncojmë deformimin e vullnetit të shqiptarëve me vjedhjen e votave, nuk reflektoi njeri. Kemi një vit e gjysmë që denoncojmë ministra të korruptuar, nuk reflektoi njeri.
Ndryshime në qeveri bëri…
Do dalim dhe aty. Kanë 107 ditë banorët e Unazës së Re që protestojnë, nuk reflekton fare Edi Rama, me arrogancë i përbuz, i ofendon, i përzë, tallet me to. Ndërkohë që Edi Rama merr 18 milionë euro në xhepin e tij në kompanitë offshore dhe prish 300 shtëpi në Unazën e Re. Përbuz studentët, pensionistët, gjithë shtresat e shoqërisë, biznesin e mesëm e ka shkatërruar, varfërinë e ka kaluar në ekstrem dhe ajo që është më e rëndësishme, kemi një Parlament që nuk përfaqëson më interesin e qytetarëve por interesin e grupeve oligarke të Edi Ramës dhe krimit të organizuar. Në këto kushte opozita ka marrë këtë vendim ekstrem, sepse nuk ka më rrugë tjetër në atë Parlament. Ne iu përgjigjëm vullnetit të popullit në protestën e 16 shkurtit, që ka qenë një ndër me masivet në historinë e vendit dhe një nga protestat më qytetare që ka patur ndonjëherë Shqipëria.
Në protestën e 16 shkurtit ju deklaruat se do të rrëzojmë Edi Ramën por të gjithë u befasuam në orën 16 kur z.Basha tha që protesta mbyllet këtu dhe ne do takohemi sërish të enjten në një protestë para Parlamentit…
Unë mendoj që opozita iu është përgjigjur vullnetit të qytetarëve, ajo çka na kanë kërkuar anë e mbanë vendit por dhe në protestën e 16 shkurtit, ka qenë ky vendim që opozita ka marrë.
Që të digjen mandatet?
Absolutisht. Sepse kanë thënë që ju nuk përfaqësoni më interesin e qytetarëve në Parlament. Sepse ai Parlament nuk është i qytetarëve. Aty zgjidhet Prokurorja e Përgjithshme me 69 vota, shkelet Kushtetuta, kalon ligje në kundërshtim me Kushtetutën. Nuk ka Gjykatë Kushtetutese ku të ankimosh që ti të mësosh sesi do jetë zbatueshmëria e këtij ligji apo nëse ky ligj është në përputhje me interesin publik. Nuk mund të funksionojë asgjë sepse Edi Rama ka krijuar një klikë kriminale në Parlament dhe oligarkët të cilët e ka rreth një grupi shumë të ngushtë. Protesta e 16 shkurtit ishte protestë historike për nga pjesëmarrja. Ka pasur jehonë të jashtëzakonshme në mediat ndërkombëtare për pjesëmarrjen e qytetarëve në atë protestë. Nuk ka qenë politike.
Ka qenë një protestë e thirrur nga politika…
ka qenë qytetare. Kanë qenë qytetarët ata që morën vendimin. Sepse një parti, apo një front opozitar me struktura partie nuk mund të sillte në shesh kaq shumë njerëz. Ka qenë sheshi i tej mbushur, nga korpusi deri tek Skënderbeu.
Për çfarë duhet protesta e të enjtes? Pra nëse ju kishit një vendim pas protestës që do digjnit mandatet, kjo për çfarë duhej?
Sepse ne kemi dalë në një konkluzion dhe me një propozim: qeveri transitore për t’i hapur rrugën zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, me qëllim që të çelen dhe negociatat dhe Shqipëria të bëhet pjesë e Bashkimit Europian, ashtu siç kërkon pjesa më e madhe e shqiptarëve. Me Edi Ramën nuk ka çelje negociatash. Me Edi Ramën nuk jemi dot pjesë e Bashkimit Europian, sepse Edi Rama nuk ka marrë asnjë masë për të luftuar krimin e organizuar, asnjë masë për të luftuar koncesionet klienteliste.
Shqipëria nuk ka asnjë rrënjë kanabis sot thotë Edi Rama…
Kështu thotë Edi Rama ndërkohë përditë, shohim që vriten njerëz anembanë vendit për pazare droge e kanabisi që vetë Edi Rama krijoi një skemë të tillë dhe ka shkatërruar të gjithë jetën sociale në vend. Sot kufijtë shqiptarë janë më të shkatërruar se kurrë. Sot Shqipëria është më e pasigurtë për shkak të Edi Ramës. Dhe në këto kushte opozita nuk ka rrugë tjetër. Protesta e 16 shkurtit, për të hequr edhe merakun e ndonjë skeptiku pse kemi thënë rrëzimi i Edi Ramës, ishte procesi i fillimit të rrëzimit të qeverisë së Edi Ramës nga qytetarët. Sepse unë mendoj që një qeveri nuk largohet thjeshtë me një protestë. Ky është një proces. 16 shkurti do hyjë në histori si nisja e një procesi i cili nuk ka kthim pas për të larguar qeverinë e Edi Ramës, sepse ky është vullneti i qytetarëve të këtij vendi.
E dini që më djegien e mandateve tuaja jeni duke krijuar një precedent, që është i rrezikshëm për një vend demokratik siç është Shqipëria? Pavarësisht se është në demokraci hibride, por nuk është parë në gjithë këto vite demokraci një vendim i tillë…
Ju thoni që do godisë demokracinë me këtë veprim. Por demokracia është goditur me Edi Ramën. Ky veprim i opozitës parandalon kthimin e vendit në diktaturë nga Edi Rama. Rama tanimë ka një Parlament monopartiak. Dhe e ka vendosur këtë gjë. Çfarë roli ka opozita në Parlament, kur ajo ofendohet? Opozita përbuzet. Opozita largohet. Bën projektligje për ta futur vendin në rrugën e dialogut, Edi Rama me arrogancë i hedh poshtë. I çuam propozimin e Vettingut në politikë, Edi Rama me arrogancë e përbuzi, i çoi propozimet LSI-ja për ligjin e arsimit të lartë me qëllim që të merrnin zgjidhje studentët, Edi Rama e përbuzi. Kemi çuar propozimin e koncensioneve, nuk e merr fare parasysh. Kemi çuar një sërë propozimesh të tjera dhe amendime dhe përsëri ai tallet me qytetarët.
Edi Rama thotë “Ju doni pushtetin në tavolinë sepse e keni të pamundur që ta merrni atë përmes zgjedhjeve të lira.” Ne kurrsesi nuk kërkojmë të marrim pushtet në tavolinë, Lëvizja Socialiste për Integrim por edhe opozita e bashkuar, këtë e kanë shprehur edhe përfaqësues të Partisë Demokratike, nuk kërkojnë të marrin pushtetin në tavolinë. Pushteti në Shqipëri nuk merret në tavolinë, merret përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme por duhet një garant në Shqipëri që zgjedhje e lira dhe të ndershme…
Po si do ti realizoni zgjedhjet e lira dhe të ndershme sepse në 2017…
Ja ta shpjegoj, Edi Rama nuk i garanton, dosja 339 e faktoi publikisht që Edi Rama nuk garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Si mund ti garantoni zgjedhjet e lira dhe të ndershme Z. Braimllari?
Me një qeveri tranzitore e cila ka një mandat të caktuar për të cuar vendin në zgjedhje të lira dhe të ndershme për të çelur negociatat dhe pastaj për të bërë të zbatueshme reformën në drejtësi e me rradhë, kjo është shumë e thjeshtë.